Hetimet për Laert Haxhiun/ SPAK merr të pandehur 9 persona për vrasje dhe shpërthime me tritol. Laert Haxhiu, hetim i veçuar

schedule15:07 - 11 Nëntor, 2024

schedule 15:07 - 11 Nëntor, 2024

Prokuroria e Posaçme ka mbyllur hetimet dhe ka marrë të pandehur 9 persona si anëtarë të grupit kriminal që drejtohej nga Laert Haxhiu të akuzuar për disa vepra të rënda penale. Për Haxhiun prokuroria ka veçuar dosjen dhe është ende duke kryer veprime hetimore.

Nga ana tjetër, ka rezultuar se anëtarët e këtij grupi kriminal janë përgjegjës për 5 vrasje, 4 vendosje tritoli në banesa dhe biznese të ndryshme dhe 3 vjedhje të dhunshme gjatë viteve 2021 deri në Maj 2023.

Hetimet fillimisht nisën nga Prokuroria e Elbasanit pas dëshmisë së Artan Tafanit që bashkëpunoi me hetuesit duke zbardhur disa ngjarje kriminale përfshi edhe kërcënimin me jetë të 2 prokuroreve, Doloreza Musabelli e prokurorisë së posaçme dhe Merita Selimi prokurore e Lushnjës.

Sipas prokurorisë së Elbasanit, grupi prej 16 personash kanë vepruar si organizatë kriminale dhe grup i strukturuar kriminal për këtë hetimet duhet të ndiqen nga struktura e posaçme. Artan Tafani u arrestua tre muaj pas grabitjes së një shume prej 30 mijë euro në një pikë të këmbimit valutor në Tiranë, ndërsa ishte nën hetim si i përfshirë në vrasjen e Alban Semakut, në tetor të 2021.

Ai tregoi disa prej vrasjeve që kanë tronditur vendin në vitet 2018-2021 në Elbasan, Tiranë, Lushnjë, Tepelenë, Korçë dhe Durrës. Sipas spak, grupi i drejtuar nga Haxhiu nisi aktivitetin kriminal në shenjë hakmarrje për vrasjen e kushëririt të tij Klodian Haxhiu, për të cilin dyshonte se u ekzekutua nga njerëzit e Aldo Bares.

Ky grup i strukturuar kriminal akuzohet se ka kryer veprat penale si më poshtë:

“Shkatërrim i pronës me eksploziv” në dëm të shtetasit Arian Aliço, ngjarje e ndodhur më datë 05.04.2021 në Lushnjë;
“shkatërrimi i pronës me eksploziv” në dëm të shtetasve, Besnik Çoku dhe Erion Çoku, ngjarje e ndodhur më datë 29.05.2021, ora 02:15, lagjia “Gafurr Muço”, pallati Nr.4, Lushnjë;
“vrasje me paramendim”, e kryer për interes, me viktimë Çajup Selimi, ngjarje e ndodhur më datë 01.06.2021, ora 21.15, në Tepelenë;
“vrasje me paramendim” e ndodhur më datë 02.06.2021, me viktimë Fridman Xhaferraj, trupi i të cilit u gjet i pajetë më datë 13.06.2021, tek rezervuari i Gjançit, në Korçë;
“vrasje me paramendim”, e kryer për interes, me viktimë Alban Semaku (Elton Mermali), ngjarje e ndodhur në lagjen Çezme, Peqin, më datë 17.10.2021;
“vrasje për gjakmarrje” me viktimë Albi (Dijonist) Bashaliu, ngjarje e ndodhur në Gjoçaj, Peqin, më datë 27.12.2021;
“vjedhje me armë” e automjetit të Gëzim Çepele, më datë 27.01.2022, në autostradën Tiranë-Elbasan, pranë karburant-bar-restorant Palmanova,Tiranë;
“vrasje me paramendim” e mbetur në tentativë, në dëm të Kujtim Meta, e kryer për interes, e ndodhur më datë 20.04.2022, në Lushnje;
“shkatërrim i pronës me eksploziv” në dëm të Bashkim Rajku e Rigels Rajku (Noizy), ngjarje e ndodhur më datë 08.06.2022, në Durrës;
“shkatërrim i pronës me eksploziv” në dëm të Bujar Turku, ngjarje e ndodhur më datë 01.11.2022, në Lushnje;
“shkatërrim i pronës me eksploziv” sërish në dëm të Bujar Turku/Resmije Turku, ngjarje e ndodhur më datë 31.12.2022, në Lushnje;
“vjedhje me armë” e automjetit në pronësi të Marjus Zejneli, e ndodhur më datë 22.02.2023, në Sallmone, Shijak (Durrës);
“sigurim i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje” të Genci Hidës në Lushnjë, në periudhën prill-maj 2023;
“mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” në mjedise të hapura për publikun;
“mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit’’në sasi të mëdha;
Krahas pjesëtarëve të grupit kriminal të përshkruar më sipër, hetimi ka provuar përfshirjen në kryerjen e krimeve edhe të të pandehurve si më poshtë:

I pandehuri Bujar Abedini, akuzohet për veprën penale “përkrahja e autorit të krimit”, e ndodhur më datë 01.06.2021, rreth orës 21:15, në lagjen “15 Shtatori”, Tepelenë, ku mbeti i vrarë me armë zjarri Çajup Selimi;

I pandehuri Mariglen Topuzi, akuzohet si bashkëpunëtor në vrasjen e kryer në dëm të Fridman Xhaferraj, më datë 02.06.2021, trupi i të cilit u gjet më pas (datë 13.06.2021) tek rezervuari i Gjançit;

I pandehuri Idriz Manej akuzohet për veprën penale “moskallëzimi i krimit’’, i vrasjes së Fridman Xhaferaj, ndodhur më datë 02.06.2021 në Korçë, trupi i të cilit u nxorr pas disa ditësh nga rezervuari i Gjançit;

I pandehuri Enriko Xhahysa, akuzohet si bashkëpunëtor me Artan (Marjus) Tafani, Lulzim Spahija (Arapi), Laert Haxhiu etj persona të paidentifikuar, në vrasjen për gjakmarrje në dëm të Albi (Dijonist) Bashaliu, ngjarje e ndodhur në Gjoçaj, Peqin, më datë 27.12.2021;

I pandehuri Bledar Berberi akuzohet dhe për “mbajtje pa leje e ofrim për shitje të armëve e municionit’’, para ngjarjes së datë 27.12.2021, në Gjocaj, Peqin, ku u vra Albi (Dijonist) Bashaliu;

I pandehuri Artan (Marjus) Tafani akuzohet për kryerjen i vetëm të veprave penale “vjedhje me armë” e pikës së këmbimit valutor, në pronësi të Shezai Çobo, në rrugën Tom Plezha, Astir, Tiranë, më datë 24.06.2023 dhe “mbajtje pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit luftarak”, në mjedise të hapura për publikun, në rastin arrestimit të Artan (Marjus) Tafani, më datë 24.09.2023, tek Hotel “Rio”, në autostradën Lushnje-Fier, lagjia Saver.

/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!