SPAK/ Avokati kërkonte, sekretarja vepronte, gjyqtarja firmoste: Si funksiononte skema e korrupsionit në Krujë

schedule12:15 - 11 Shkurt, 2021

schedule 12:15 - 11 Shkurt, 2021

SPAK ka zbardhur detaje në lidhje me arrestimin e 10 personave gjatë ditës së sotme pasi dyshohet se kishin ngritur një skemë përmes të cilës ulnin dënimet ose lironin nga burgu të dënuar për vepra të rënda penale.

Mes të arrestuarve janë gjyqtarja Enkeleda Hoxha, avokati Aldo Tabaku si edhe sekretarja e Gjykatës së Krujës, Manuela Mallakuçi.

Po ashtu, SPAK ka kërkuar masë arresti edhe për Saimir Petanin, i cili rezulton i ekstraduar nga Italia me dënimin prej 25 vitesh burg për vrasje.

Krahas tyre, SPAK ka arrestuar Shkëlqim Korbin, ekspert psikiatriko – ligjor pranë Institutit të Mjekësisë Ligjore si edhe disa familjarë të të dënuarve në burgje.

Të gjithë ata dyshohet se në bashkëpunim kanë bërë të mundur uljen e dënimeve apo nxjerrjen nga burgu të të dënuarve. Synimi kësaj radhe ishte ulja e dënimit pikërisht për Saimir Petanin.

Skema
Skema ishte vënë në funksionim nga gjyqtarja, avokati dhe sekretarja e gjykatës.

Fillimisht, sipas SPAK, të dënuarit zgjidhnin avokat Aldo Tabakun, i cili kishte kontakte të ngushta me gjyqtaren Enkeleda Hoxha.

Nga ana tjetër, sekretarja e gjykatës bëntë të mundur që çështja të kalonte për shqyrtim pikërisht nga gjyqtarja Enkeleda Hoxha, e cila merrte vendim pro kërkuesve.

Sipas SPAK, të burgosurit apo familjarët e tyre paguanin nga 6 000 deri në 12 000 euro për përfitimin e këtyre uljeve me qëllim final daljen nga burgu.

Sa i përket mjekut Shkëlqim Korbi, SPAK thekson se ai ka përgatitur një akt ekspertimi për një të dënuar me mjekin të detyruar spitalor. Akti i ekspertimit ka qenë në disfavor të të dënuarit, por papritur mjeku shkon në sekretarin e gjykatës dhe zëvendëson aktin me një tjetër, kësaj radhe në favor të tij. /abcnews.al