SPAK: Akuzat ndaj Bardhit, të pavërteta. Prokuroria e Posaçme: Materiali ishte i manipuluar

schedule13:41 - 9 Tetor, 2024

schedule 13:41 - 9 Tetor, 2024

Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka reaguar në lidhje me disa mesazhe të mbërritura në telefonat e politikanëve apo figurave publike, përmes aplikacionit “Signal”, duke i cilësuar të pavërteta akuzat ndaj Gazment Bardhit.

Përmes një njoftimi zyrtar, SPAK sqaron se mesazhet e pretenduara se rrjedhin nga transkripte bisedash të kryera nëpërmjet SKY/ECC janë manipuluar duke sajuar biseda të pavërteta për individë dhe veprime të kundërligjshme.

Ndër të tjera, SPAK i bën thirrje të gjithë qytetarëve dhe aktorëve publikë të tregojnë kujdes kur ndërveprojnë me mesazhe të kësaj natyre, si dhe të shmangin shpërndarjen e materialeve të paverifikuara.

Njoftimi i SPAK

Në përgjigje të interesimit të shtuar të mediave informojmë publikun se Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar është vënë në dijeni për disa mesazhe që i kanë mbërritur politikanëve dhe figurave publike gjatë ditëve të fundit përmes aplikacionit të koduar të komunikimit, Signal.

Nga verifikimet e deritanishme të Prokurorisë së Posaçme, mesazhet e pretenduara se rrjedhin nga transkripte bisedash të kryera nëpërmjet SKY/ECC janë manipuluar duke sajuar biseda të pavërteta për individë dhe veprime të kundërligjshme.

Prokuroria e Posaçme, po monitoron nga afër këtë situatë dhe ka nisur verifikimet për të identifikuar burimet e këtyre mesazheve me qëllim ndjekjen penale të autorëve.

I bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve dhe aktorëve publikë të tregojnë kujdes kur ndërveprojnë me mesazhe të kësaj natyre, si dhe të shmangin shpërndarjen e materialeve të paverifikuara.