“Spahiu do ta shohë përurimin nga dritarja”, Gurra: Të shpjegojë pse do të mungojë në hapjen e Namazgjasë

schedule15:41 - 9 Tetor, 2024

schedule 15:41 - 9 Tetor, 2024

Ditën e enjte do të përurohet xhamia e madhe e Namazgjasë në Tiranë. Në hedhjen e gurit të themelit edhe në ceremoninë  e përurimit do të jetë i pranishëm  Presidenti i Turqisë Rexhep Taip Erdogan, por jo kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë Bujar Spahiu.

Komuniteti e pranon përmes një njoftimi në rrjetet sociale, ku thotë se do të përfaqësohet nga  myftiu i Tiranës Gazment Teqja.

Lidhur me këtë, ish Myftiu i Tiranës, Ylli Gurra ka thënë në “News Hour” se Bujar Spahiu duhet të jap një shpjegim pse do të mungojë në këtë ngjarje historke.

Ai ka theksuar se Spahiu do ta shohë përurimin nga dritarja dhe kjo është fyese për qytetarët e vendit dhe veçanërisht besimtarët.

“Në një moment të caktuar qoftë dhe si ky, duhet të japin një shpjegim për publikun, për arsye të mosprezencës aty. Kjo është problematika, këta njerëz nuk mund të japin dot shpjegim përkundër gjithë akuzave që mund të vijnë sipas tyre nga republika e Turqisë, sepse janë qytetarë të këtij vendi, kanë disa raporte të caktuara me qeverinë e këtij vendi, me qytetarë të këtij vendi, me besimtarët e këtij vendi. Pranohet apo nuk pranohet, kjo është gjë tjetër, por është fyese për qytetarët e këtij vendi.

Kjo e tejkalon dimensionin fetare, xhamia e Namazgjasë, mua më vjen mirë kur shoh me mijëra turistë që vizitojnë ndërtimet religjioze dhe kështu do të jetë dhe Namazgjaja, sepse ka një dimension historik, kulturor dhe jo vetëm fetar. Deri më sot nuk ka asnjë person nga komuniteti që të japi një urim apo shpjegim.

Përfaqësimi i atij është qendrimi pas perdeve të dritareve të komunitetit në distancën as 100 metra për të parë ceremoninë nga atje. Çfarë përfaqësim? Je e detyruar në momentin që je titullar, je i detyruar të jap një shpjegim për qytetarët. Patjetër që KMSH duhet të ketë një kre të ri”, u shpreh Gurra./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!