Spahia pyet Manastirliun: Pacientit me shenja klinike në Shkodër s’i bëhet tamponi, a ka rezerva?

schedule11:39 - 5 Korrik, 2020

schedule 11:39 - 5 Korrik, 2020

Ish-ministri i Shëndetësisë Bardh Spahia ka bërë publik një denoncim të bërë sipas tij në Spitalin e Shkodrës ku një pacient me shenja klinike nuk mund të testohet pasi i kanë thënë se nuk ka tamponë.

Spahia thotë se raste të ngjashme janë denoncuar edhe nga ata që kontaktojnë numrin e urgjencës.

Ai i drejtohet Manastirliut me një apel që të fokusohet më tepër në këputjen e zinxhirit të përhapjes së koronavirusit, dhe jo në inspektime që janë detyre e strukturave të ngarkuara.

“A eshte siguruar rezerve tamponesh zonja ministre e Shendetesise?

Sipas një denoncimi që vjen nga Spitali i Shkodrës, një pacient me shenja klinike kërkon të testohet, por i thuhet se nuk ka tamponë!!! Raste të ngjashme janë denoncuar edhe nga ata që kontaktojnë numrin e urgjencës dhe u mohohet testimi edhe pse me shenja të qarta klinike, e të mendosh që

Italia fqinje bën 50 mijë teste në ditë. Vetëm në Shqipëri testet janë instrumenti më pak i përdorur, edhe pse kemi një situatë të dalë jashtë kontrollit tashmë, si në qendrat spitalore ashtu edhe në institucionet publike.

Eshtë jetike për të gjithë që të shtohet kujdesi! Ama shteti duhet të bëjë detyrën e tij, të kryejë sa më shumë testime, e sidomos t’u përgjigjet personelit shëndetësor e qytetarëve, që kanë nevojë për tamponë!

Nuk kontrollohet situata me shfaqje prej polici nëpër biznese, zonja ministre e shëndetësisë!!! Atë punë e bëjnë fare mirë strukturat e ngarkuara me ligj e vartësit tuaj! Detyra juaj parësore është këputja e zinxhirit të infektimit në qendrat spitalore, c’ka nuk po e bëni!!! Eshtë skandaloze në këtë situatë, kur shifrat e të infektuarve e viktimave janë në rritje, të thuhet se nuk ka tamponë!!!

Ky quhet dështim për të siguruar jetët e qytetarëve zonja ministre dhe nuk e mbuloni dot duke luajtur policësh! Eshtë papërgjegjëshmëri të mos bësh punën për të cilën paguhesh, sidomos kur situata ka dalë jashtë kontrollit!!!”, shkruan Spahia./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!