Sot miqësorja ndaj Uellsit

schedule13:08 - 20 Nëntor, 2018

schedule 13:08 - 20 Nëntor, 2018

Kombëtarja luan miqësoren ndaj Uellsit, në orën 20:00, në “Elbasan Arena”. Ekipi përfaqësues ka shumë mungesa, ndërsa pritet që trajneri Panuçi të luajë në mënyrë më të kujdesshme.

Besimi në këtë skuadër ka rënë shumë, por në futboll kurrë nuk i dihet. Me këtë motiv shkon kombëtarja shqiptare në ndeshjen e sotme, miqësoren ndaj Uellsit në “Elbasan Arena” në orën 20:00, e fundit për vitin 2018. Humbja e rëndë me Skocinë sikur i vuri kapak gjithçkaje, dhe sfida e tanishme mund të mendohet si pa vlerë, por nuk cilësohet e tillë nga trajneri Panuçi dhe nga lojtarët.

Një reagim dhe një fitore gjithnjë janë lajme pozitive, që ndihmojnë.Siç deklaroi në konferencën për shtyp, italiani pritet të nisë me atë që mund të quhet Plani B, pra një skemë dhe një mënyrë loje më e kujdesshme, pak a shumë një rikthim në kohën e De Biazit.

Me mjaft mungesa për shkak dëmtimesh apo sëmundjesh, Panuçi do të hedhë në fushë formacionin më të mirë të mundshëm. Pritet që Strakosha të jetë në portë, mbrojtja të luajë me katër lojtarë, Ismajli, Veseli, Mavraj e Hysaj. Në mesfushë mendohet treshja Kaçe-Basha-Xhaka, ndërsa në sulm Balaj, i mbështetur në krahë nga Gavazaj e Grezda.

I fundit që u largua nga ekipi ishte sulmuesi Manaj, për shkak të gripit, pas Skocisë ikën edhe Gjimshiti, Ndoji e Binaku, ndërsa Sadiku, Cikalleshi e Roshi ishin të dëmtuar që më parë. Uellsi, ndërkaq, vendosi të mos stërvitej në Shqipëri, ndërsa mbërriti vonë, pasditen e së hënës.

Trajneri Rajan Gigs e përgatiti skuadrën që pas ndeshjes me Danimarkën, ndërsa në Tiranë thjesht dha konferencën në shtyp, pas vendosjes në hotel.

“Nuk duam të humbasim dy ndeshje radhazi, – ishin fjalët e tij, – kjo sfidë është e rëndësishme për ne, duke menduar për Europianin e ardhshëm. Duhet të luajmë më mirë sesa ndaj Danimarkës, por gjithsesi kam besim tek skuadra për një rezultat pozitiv”.

Ashtu si skocezët, uellsianët janë lojtarë shumë të fortë fizikisht dhe mjaft të shpejtë, ndërsa mund të ndihmohen edhe nga moti me reshje./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!