Sot masa për 3 “spiunët” në Gramsh, detaje nga dosja e Prokurorisë, nga dronët deri te predha, çfarë sekuestroi policia

schedule09:40 - 24 Gusht, 2022

schedule 09:40 - 24 Gusht, 2022

Abcnews.al. ka zbardhur detaje nga dosja e Prokurorisë së Elbasanit për tre shtetasit e huaj që tentuan të hyjnë fshehurazi në Uzinë e Përpunimit të Armëve në Gramsh pasditen e së dielës.

Dy rusët Svetlana Timofoeva, Mikhail Zorin dhe 25-vjeçari ukrainas Fjodor Mihajlov do të dalin sot para gjykatës së Elbasanit për tu njohur me masën e sigurisë. Ndërkohë në dosje janë përmenden mjetet që policia u ka sekuestrua.

Sipas dosjes 3 shtetasve u janë sekuestruar në cilësinë e provës:1 automjet Chevrolet me targa AX 6200 IF, 2 drone, sasi e konsiderueshme monetare, 1 pajisje vëzhgimi për shikueshmëri natën, 1 Laptop, karta sim, hardisk; 1 (nje) copë fishek model 56, kaliber 7.62 mm, një predhe fisheku armë zjarri kalibër 12.7 mm, dokument udhëtimi dhe identifikimi, mjete kampingu, bombul e përdorur në formë spray neutralizues dhe 6 telefona celularë.

Lexo edhe: Tentuan të hyjnë në Uzinën e Armëve në Gramsh, sot jepet masa për 3 “spiunët”, akuzat e Prokurorisë

Ditën e djeshme, prokurori i çështjes Kreshnik Ajazi dorëzoi në gjykatë kërkesën për caktimin e arrestit në burg për tre të huajt, duke i akuzuar ata për tre vepra penale, sigurimi i informacionit të klasifikuar, goditje për shkak të detyrës ndaj efektivëve, si dhe mbajtja pa leje e municioneve luftarake.

Kjo e fundit është ngritur nga prokuroria, pasi në automjetin e tyre u gjet edhe një plumb.

Mësohet se avokatët e shtetasve rusë dhe ukrainas janë Kryetari i Dhomës së Avokatisë Elbasan, Demir Çiftja dhe Aldi Kaçi, ndërsa avokati i tretë do të caktohet gjatë seancës.

Seanca do të mbahet rreth orës 11:00.

Kujtojmë që ditën e shtunë tre shtetasit e huaj kanë tentuar të hyjnë në Uzinën e Armëve në Gramsh, ndërsa janë pikasur nga dy ushtarakët shqiptarë që kanë qenë në krye të detyrës, Ardi Bici dhe Ardjan Xhaka.

Në momentin që ushtarakët shqiptarë janë afruar dhe ju kanë kërkuar që të largohen, ata janë sulmuar nga shtetasit e huaj, të cilët kanë përdorur sprije. Pas këtij momenti dy ushtarakët shqiptarë janë dërguar në Spitalin e Traumës ku kanë marrë ndihmën mjekësore, ndërsa tre shtetasit e huaj janë ndaluar nga Drejtoria e Policisë së Elbasanit./abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!