Dy sfida të mëdha do të luhen sonte në Champions. Barcelona udhëton në fushën e Totenhemit, ndërsa Napoli pret Liverpulin, nënkampion të Europës.
Do të quhet favorite sa kohë ta ketë më të mirin.
E kush tjetër përveç Barcelonës, pavarësisht se shkëlqimi sikur nuk është si dikur.
Skuadra katalanase u drejtua për në Londër, ku sonte ndeshet me Totenhemin në Champions, ndërsa eksperienca thuajse e pafundme, e bëri që të mos shfaqte asnjë dilemë.
Tri ndeshje pa fitore në La Liga mund të lihen pas dhe të fitohet përsëri, kjo është bindja e Lionel Mesit, veçse trajneri Ernesto Valverde, e kupton se stoli i tij nuk është aq i paprekshëm.
Pasi preku fushën e “Uemblit”, ai bëri detyrën para mediave.
Valverde: “Javën e kaluar patëm probleme me rezultatet, dhe ju mund ta analizoni cilindo prej tyre. Natyrisht që ne duam të përmirësohemi, dhe kjo duhet të nisë që tani ndaj Totenhemit. Ka gjithnjë arsye kur nuk ia del, herë bëjmë gabime, herë kundërshtari luan më mirë se ne. Gjithsesi, tani ndihemi mirë dhe e dimë se çfarë kërkohet prej nesh”.
Kampionët e Spanjës u stërvitën në terrenin e stadiumit legjendar, me mungesa të rëndësishme.
Mbrojtësi i qendrës Ymtiti është i dëmtuar dhe i pezulluar, dhe mesfushori-kyç Sergi Buskets po ashtu I dëmtuar.
Po Totenhemi si duket?
Mungesat i ka më të shumta sesa kundërshtari, pasi të dëmtuar janë Dele Ali, Kristian Eriksen, Musa Dembele, Serzh Orie dhe Jan Vertongen.
Për fat kthehet portieri dhe kapiteni Hugo Joris.
Trajneri Poçetino do të ndeshet me ish-trajnerin e tij, Valverden, që e largoi nga Espanjoli shumë vite më parë.
Poçetino: “Nuk kam asnjë problem me Valverden, pasi jemi takuar dhe kemi folur. Sot e kuptoj pozicionin e tij në atë kohë, nuk ishin kohë të mira për mua. Sa për ndeshjen, nuk dua të justifikohem me dëmtimet. Unë dua fitoren, me të rinj apo me të vjetër, vetëm kështu fitohen trofetë”.
Dueli tjetër i madh i sotëm në Champions, është Napoli-Liverpul.
Skuadra italiane do të ketë përballë nënkampionët e Europës, dhe trajneri Karlo Ançeloti e ka të qartë rrezikun, sidomos edhe pas humbjes 0-5 në miqësore në verë.
Ançeloti: “Do të luajmë përballë një kundërshtari të madh, që jo më kot është nënkampion I Europës. Liverpuli është një skuadër shumë e fortë dhe që drejtohet nga një trajner i madh si Jurgen Klopi. Ne u mundëm thellë nga ata, gjatë verës. Shqetësimi im më I madh ka të bëjë me gjyqtarin hungarez, Kasai, me të cilin ka një përvojë aspak të mirë”.
Po Klop si përgjigjet?
Klop: “E pëlqej shumë Karlo Ançelotin, një djalë dhe një trajner i shkëlqyer. Për njerëz si ai, ne në Gjermani kemi një epitet, “dhelpra dinake”. Ai më lavdëroi, por mendoj se filloi me taktikat që përpara ndeshjes. Do të jetë një sfidë shumë interesante ndaj Napolit”.
Skuadra napolitane ka disa mungesa, portierin Merret dhe mbrojtësit Kirikesh e Gulam, ndërsa anglezët janë me ekip të plotë. /abcnews.al