Sot kufizohet hyrja në Tiranë përmes Doganës, si do të devijohet trafiku! Rrugët alternative

schedule08:44 - 26 Tetor, 2020

schedule 08:44 - 26 Tetor, 2020

Nga dita e hënë, trafiku në Doganën e Tiranës do të devijohet si pasojë e punimeve tek ish-Sheshi Shqiponja.  Erald Elezi, drejtori i planifikimit strategjik në ARRSH ka treguar një ditë më parë edhe skemën e devijimit të trafikut me dy drejtime, edhe për ata që hyjnë në Tiranë edhe për ata që dalin nga kryeqyteti. Ky plan menaxhimi do të zgjasë nga tre deri në katër muaj që është edhe koha e parashikuar për përfundimin e punimeve.

Elezi thotë se do të vihet në përdorim për ata që vijnë nga Durrësi në kryeqytet rruga “Abedin  Rexha” që njihet ndryshe edhe si ish-Fusha e Aviacionit e cila do të shndërrohet me një sens kalimi për të përballuar fluksin e lartë të automjeteve që vijnë nga qyteti bregdetar. Më pas kalimi do të bëhet përmes rrugës “Dritan Hoxha”.

Për qytetarët që vijnë nga Jugu rekomandohet përdorimi i rrugës nga Rrogozhina drejt Peqinit për t’u futur më pas në Tiranë përmes rrugës së Elbasanit. Ndërkohë që për ata që vijnë nga veriu kalimi do të bëhet nga Instituti drejt Paskuqanit ose zonës së njohur si Shinat e Trenit duke kaluar më pas drejt rrugës “Don Bosko”.

“Për tre deri në katër muajt në vazhdim do zbatohet një plan tjetër për menaxhimin e trafikut. Ky plan do të devijojë të dyja drejtimet, si drejtimin që futet nga Tirana dhe atë që del nga Tirana. Përdoruesit e mjeteve që do të vijnë nga Durrësit do detyrohen që të kthehen djathtas drejt rrugës Teodor Keko. Për të aksesuar Tiranën, mundësia e parë për t’u futur në qytet do të jetë rruga Abedin Rexho që ne e njohim si Fusha e Aviacionit. Nëpërmjet një semafori do të rregullohet kalimi dhe rruga Abedin Rexho do të shndërrohet në rrugë me një sens kalimi për të përballuar një fluks mjetesh më të lartë. Pastaj nëpërmjet rrugëve sekondare të qytetit do të shkojmë drejt rrugës Dritan Hoxha për të shkuar drejt Tiranës.

Për drejtimin Tiranë-Durrës, devijimi i trafikut për përdoruesit e mjeteve që vijnë nga rruga “Dritan Hoxha” do të fillojë me një ngushtim korsish, më pas drejt devijimit të një rruge të zënë me parkime dhe Bashkia e Tiranës po merr masa që të zhbllokohet dhe të bëhet e kalueshme. Më pas duke përshkruar një gjysmë rreth gati i njëjtë siç ishte me ish-sheshin Shqiponja, do shkohet drejt Durrësit. Sikurse bashkë me këtë linjë trafiku do të bashkohet edhe linja e trafikut që na vjen nga Astiri. Për ata që na vijnë nga Jugu i vendit rekomandohet përdorimi i rrugës nga Rrogozhina, në Peqin, Papës, Bradashesh dhe të aksesojnë qytetin e Tiranës nëpërmjet rrugës së Elbasanit.  Për qytetarët që vijnë nga veriu i vendit rekomandoj përdorimin e rrugës nga Instituti drejt Paskuqanit për t’u futur në Tiranë ose për ata që do të zgjedhin të afrohen më shumë të shkojnë drejt rrugës së Shinave të Trenit për të arritur në rrugën “Vangjel Noti” dhe më pas në rrugën “Gjergj Legisi e cila do të shndërrohet me një sens kalimi për të përballuar sa më shumë mjete që do shkojnë drejt Don Boskos për t’u futur në Tiranë”, tha Elezi.

Pak ditë më parë drejtori i Policisë së Tiranës Rebani Jaupaj dha edhe një rrugë alternative për ata që vijnë nga Durrësi drejt Tiranës, që të zgjedhin kalimin përmes rrugës së vjetër të Ndroqit për të dalë në Kombinat dhe më pas tek Pallati me Shigjeta. Jaupaj u shpreh se do të lihet një korsi emergjence duke qenë se për shkak të situatës së Covid-19, urgjencat mjekësore do të jenë më të shpeshta./mv. abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!