Sot konferenca humanitare për Gazën, kush do të marrë pjesë dhe cilat janë qëllimet

schedule10:12 - 9 Nëntor, 2023

schedule 10:12 - 9 Nëntor, 2023

Franca po pret sot, me iniciativën e presidentit  Emmanuel Macron, një “konferencë humanitare” që synon ofrimin e ndihmës për Rripin e Gazës, e cila është bërë pothuajse e pamundur nga bombardimet e vazhdueshme të enklavës nga Izraeli, pas sulmit të përgjakshëm të Hamasit më 7 tetor.

Kryeministrat e Greqisë, Irlandës dhe Luksemburgut do të marrin pjesë në konferencë, si dhe presidentët e Këshillit Europian dhe Komisionit Europian. Nënsekretarja e SHBA-së për Sigurinë Civile Uzra Zeya gjithashtu do të marrë pjesë.

Qeveria izraelite nuk do të përfaqësohet në konferencën e Pallatit Elysee, por Macron foli të martën me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe do të jetë në kontakt me të pasi të përfundojë konferenca, sipas presidencës franceze.

Gjithashtu të martën, Macron zhvilloi një bisedë telefonike me presidentin egjiptian Abdel Fattah al-Sisi dhe emirin e Katarit Sheikh Tamim bin Hamad al-Thani, vendet e të cilit luajnë një rol kyç në përmirësimin e ndihmës për Rripin e Gazës.

Por vendet arabe nuk do të përfaqësohen në një nivel të lartë në këtë konferencë. Autoriteti Palestinez do të përfaqësohet nga kryeministri i tij dhe Egjipti, i cili kontrollon Rafah, i vetmi vendkalim në Gaza që nuk të çon në Izrael  do të dërgojë një delegacion ministror.

Në vend të kësaj, konferenca do të monitorohet nga afër nga organizatat joqeveritare, të cilat vazhdimisht janë ankuar për aksesin e pamjaftueshëm në Rripin e Gazës dhe vështirësitë në ofrimin e ndihmës për civilët atje, ndërkohë që bombardimet vazhdojnë.

Trembëdhjetë OJQ kërkuan të mërkurën, një “armëpushim të menjëhershëm” dhe “dhënien e garancive për hyrjen e ndihmave në Gaza, si dhe respektimin e ligjit ndërkombëtar humanitar”.

“Makthi në Gaza është më shumë se një krizë humanitare, është një krizë e njerëzimit”, tha Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres.

OKB-ja vlerëson nevojat e popullsisë së Gazës dhe Bregut Perëndimor në 1.2 miliardë dollarë deri në fund të vitit.

Konferenca synon të arrijë një vlerësim të përbashkët të situatës në enklavën palestineze dhe “të mobilizojë të gjithë partnerët dhe donatorët për t’iu përgjigjur këtyre nevojave”, sipas një këshilltari të presidentit francez.

Siç njoftoi Ministria e Jashtme e Francës, bisedimet do të fokusohen në dy çështje. E para është ndihma në ushqim, pajisje mjekësore dhe energji, “një çështje e ndërlikuar sepse Izraeli nuk dëshiron të lejojë dërgimin e karburantit në Rripin e Gazës”.

Çështja tjetër do të jenë premtimet për donacione si dhe diskutimet për “qasjen humanitare” në enklavë.

Asnjë njoftim i përbashkët

Rripi i Gazës është nën rrethim të plotë pas një sulmi të paprecedentë ndaj Izraelit nga Hamasi, lëvizja palestineze që kontrollon enklavën. Ushtria izraelite ka kryer bombardime të vazhdueshme dhe së fundmi operacione tokësore atje.

Thirrjet për një “pauzë humanitare” ose “armëpushim” janë shtuar ditët e fundit për të lehtësuar aksesin e ndihmës humanitare në Gaza dhe lirimin e më shumë se 240 pengjeve të mbajtura nga Hamasi. Por kryeministri izraelit sërish përjashtoi një armëpushim nëse pengjet nuk lirohen më parë.

Megjithatë, rrethi i Macron vlerëson se “Hamasi ndoshta nuk do të lirojë pengjet derisa operacioni të vazhdojë në kushtet aktuale.

Prandaj, pauza humanitare na duket po aq e rëndësishme për të arritur lirimin e pengjeve”.

Asnjë deklaratë e përbashkët nuk do të lëshohet pas konferencës në mënyrë që të shmangen diskutimet e pafundme rreth përdorimit të “njërës fjalë apo tjetrës”, tha i njëjti burim.

“Parisi këmbëngul në karakterin rreptësisht praktik, operacional, humanitar të konferencës dhe Pallati Elysee nuk dëshiron të kthehet në një platformë për dënimin e Izraelit”, sipas një burimi europian.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!