“Sot kemi parë një katrahurë”, forcat e IMT-së shembin murin rrethues të kryesisë së Teqeve Halvetiane

schedule18:52 - 27 Prill, 2020

schedule 18:52 - 27 Prill, 2020

Kjo është dhurata që Bashkia Tiranë i ka bërë në muajin e shenjtë të Ramazanit perimetrit rrethues të Tarikatit Islamik Halvetian në kryeqytet, të cilin e kishte ndërtuar vetë në vitin 2012.

Forcat e IMT-së gjatë orëve të para të mëngjesit të së hënës shembën kangjellat dhe murin e Teqes. Kreu i Tarikatit Halvetian, Sheh Ali Pazari thotë se nuk ka pasur asnjë njoftim për këtë aksion.

“Jemi të paditur përpara këtij fakti, sot në mëngjes kemi parë një katrahurë. Kanë hequr rrethimin pa asnjë lajmërim. Para tërmetit kemi pasur një komunikim me Bashkinë për çështjen e procedurave të lejeve dhe jemi akoma në procedurë komunikimi”, Sheh Ali Pazari, kreu i Tarikatit Halvetian

Sheh Ali Pazari shprehet se në përgjithësi komunikimet me Bashkinë Tiranë nuk kanë munguar, por në këtë rast ka ndodhur ndryshe.

“Në rastin konkret nuk kemi pasur asnjë kontakt”, u shpreh kreu i Tarikatit Halvetian.

“ABC News” kërkoi një reagim nga IMT-ja se përse u ndërmor ky aksion ndaj objektit të kryesisë së të gjitha teqeve të Shqipërisë, por nga ky institucion në varësi të Bashkisë nuk kishte asnjë përgjigje./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!