Sot Fiter Bajrami, një rrëfim ndryshe i Sonadës, shkodranes që e ka besimin të shenjtë

schedule18:30 - 2 Maj, 2022

schedule 18:30 - 2 Maj, 2022

Besimtarët myslimanë në të gjithë botën kanë festuar këtë të hënë festën e Fiter Bajramit.

Duke ju referuar kësaj dite të madhërueshme për të gjithë besimtarët myslimane, Ben Blushi ka sjellë një rrëfim të veçantë, ku tregon bukurinë njerëzore dhe atë të besimit të njerëzve që i luten dhe i përulen Zotit.

Blushi përmes penës së tij ka ndarë në Facebook, një histori të bukur të një vajze nga Shkodra, e cila besimin në Zot e ka parësore.

Përmes këtij shkrimi Blushi tregon shpirtin e pastër të një besimtareje, e cila me çiltërsinë e saj rrëfen se si besimi në Zot i jep asaj shpresë për të tashmen dhe të ardhmen.

Më poshtë keni shkrimin e plotë të Ben Blushit:

SONATA E SONADËS

Isha në Xhaminë e Shkodrës. Një vajzë e mbuluar u afrua te hyrja e grave.

Të të bëj një fotografi, e pyeta

 Nuk është e mundur, tha ajo

 Fotografia ime nuk është për keq, i thashë

Ky është Ben Blushi, tha një grua tjetër, pranoje nuk ka problem

Për çfarë i bën këto foto, tha vajza

Dua të bëj një libër me njerëz të bukur, thashë unë

Mendon se jam e bukur?

Shumë, i thashë

Mirë, por a mund të më nxjerrësh vetëm me kurriz, tha vajza

Të paktën në profil, i thashë

Sot jam pak e skuqur, tha vajza

Si quhesh, e pyeta

Sonada

Sonata?

Ma ngatërrojnë shumë njerëz, Sonada jo Sonata

Kur je mbuluar?

 14 vjeç

 Je e lumtur?

 Shumë e lumtur

 Po mami është e mbuluar?

 Mami u mbulua 2 muaj përpara meje

 Pra ti u mbulove nga mami?

 Unë u mbulova sepse e ndjeva

 Po motra është mbuluar?

 Motra është praktikante, nuk është mbuluar, por mezi po pret

 Dëgjon muzikë, e pyeta

Është e ndaluar, tha Sonada

Po si mund të jetosh pa muzikë, a ka gjë më të bukur, e pyeta

 Është e provuar që muzika dëmton veshët, tha Sonada

 Po në dasma shkon?

 Kam shkuar, tha Sonada

 Nuk ke kërcyer asnjëherë?

 Pothuajse nuk kërcej, tha Sonada

 Duhet të dëgjosh muzikë, i thashë, nuk ka asgjë të keqe

 Këngët kanë shumë fjalë të papërshtatshme, tha Sonada

 Sa vjeç je?

19

Çfarë shkolle bën?

Për infermieri

Të lejojnë në shkollë të mbuluar?

Po aty ka dhe vajza të tjera si unë

Kur do martohesh?

Kur ta vendosë Zoti

Po si do njihesh me dikë kur nuk del, nuk dëgjon muzikë, nuk shkon në disko dhe nuk të lejohet të takosh djem?

Përmes lutjes, tha Sonada

Pra ti lutesh edhe për të gjetur një djalë, e pyeta

Unë kam përcaktuar karakteristikat e njeriut me të cilin dua të jetoj dhe lutem që ai të shfaqet

Po a gjendet burri duke u lutur?

Edhe familja mund të ndihmojë, tha Sonada

 Pra do fejohesh me mblesëri?

 Mblesëria nuk është e keqe, por familja nuk do bëjë asgjë pa më pyetur mua

 Çfarë është Zoti për ty?

Zoti është diçka kaq e madhe sa nuk përshkruhet dot me fjalë

A mund ta hedh foton tënde në instagram?

Mund ta hedhësh

Je një vajzë shumë e mirë Sonada

Duhet të iki, tha Sonada

Do marrësh abdes, e pyeta

E mora abdesin, tani do lutem

Lutje të mbarë, thashë unë

Faleminderit, tha Sonada

/Abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!