Sot e ekzekutuan me armë zjarri, 4 ditë më parë viktima doli në mbrojtje të të birit, çfarë thoshte për policinë e Shkodrës

schedule15:25 - 2 Shtator, 2022

schedule 15:25 - 2 Shtator, 2022

Ismet Çekorja është 57-vjeçari  që u vra këtë mesditë në një atentat në lagjen Kiras në Shkodër.

4 ditë më parë, viktima kishte folur për mediet për të mbrojtur djalin e tij, Bajram Çekorja, i cili është shpallur në kërkim për atentatin që iu bë më 25 gusht, Alban Bruçit. Alban Bruçi i shpëtoi për mrekulli plumbave atë mbrëmje.

Lexo edhe: EMRI/ U qëllua me breshëri arme, vritet një person në Shkodër

Ismet Çekorja ka thënë 4 ditë më parë se djali i tij mbrëmjen e 25 gushtit në orën kur ka ndodhur atentati ndodhej në një mjedis të monitoruar nga kamerat e sigurisë gjë e cila hedh poshtë sipas tij akuzat e policisë.

Viktima nuk kishte kursyer as kritikat për policinë e Shkodrës. Ai thoshte se që prej tri vitesh policia e Shkodrës i është vënë nga pas djalit dhe familjes së tij pasi për çdo ngjarje kriminale banesa e tyre rrethohet nga policia.

58-vjeçari mohonte se djali i tij është i përfshirë edhe në ngjarjet e tjera kriminale për të cilat ka qenë i dyshuar.

“Policia ka ardhur në banesën tonë pas vrasjes së Arjan Ferracakut, kur që viktima ishte nipi im po ashtu kur u vra edhe Fatos Ferracaku prapë më kanë thirrur mua dhe djalin.
Pastaj janë vrarë vëllezërit Bilali dhe sërish policia në banesën time njëkohë që kemi kaq shumë vite që jemi fqinj. U plagos Admir Bajri, prapë në banesën time njëkohë që familja jonë e ka pasur një lloj njohje me familjen e tyre. Po ashtu u qëllua shefi i policisë bashkiake të Malësisë së Madhe sërish në banesën time kur në fakt autorët dolën krejt persona të tjerë.
Rasti i fundit është me Alban Bruçin, djalin e Lad Bruçit të cilin unë e kam shumë mik dhe nuk ka asnjë shans që djali im të qëllojë djalin e tij kur ne kemi shumë miqësi aq më tepër që Bajrami, djali im është i monitoruar me kamera. Këto sulme ndaj familjes tonë i bëjnë disa bandit, hajdutë biçikletash dhe banditë të veshur me pushtet. Se cila është arsyeja ne nuk e dimë. Ajo që kërkojmë është drejtësia. Djali im është i pafajshëm dhe nuk ka marrë pjesë në asnjë prej ngjarjeve kriminale për të cilat është i dyshuar. Janë të gjithë inskenime dhe tani ai duhet të qëndrojë rrugash dhe nuk mundet as të punojë as asgjë. Kërkojmë drejtësi dhe të zbardhen ngjarjet”,  këto kanë qenë fjalët e viktimës për mediet 4 dite më parë.

Alban Bruçi u qëllua me 19 plumba më 25 gusht në Shkodër, por arriti që të shpëtojë pa u plagosur.

25 vjeçari shkoi vetë në polici dhe bëri një kallëzim për këtë atentat për të cilin policia ka shpallur në kërkim Bajram Çekorja dhe Tornato Fusha, djali i biznesmenit dhe ish-presidentit të Vllaznisë Valter Fushës.

/abcnews.al./