Sot 120 vjetori i Bayern Munich, ADIDAS rikthen fanellat historike

schedule18:06 - 27 Shkurt, 2020

schedule 18:06 - 27 Shkurt, 2020

Bayern Munich feston 120-vjetorin e themelimit dhe kompania ADIDAS rikthen fanellat historike të titullit të parë kampion. Klubi bavarez është sot më i madhi në Gjermani dhe nga më të mëdhenjtë në Europë.

Ishte një vit përpara ardhjes së Hitlerit në pushtet dhe pikërisht skuadra e qytetit ku jetonte diktatori i ardhshëm, fitoi titullin e parë.  Bayern Munich u bë kampion i Gjermanisë në vitin 1932, një sukses i rëndësishëm historik, e për këtë arsye klubi bavarez dhe kompania Adidas dizenjuan fanellat e veçanta për 120-vjetorin e themelimit.

Ky 120-vjetor festohet pikërisht në 27 shkurt dhe skuadra do t’i veshë fanellat speciale në ndeshjen ndaj Augsburg, më 8 mars. Bluza është e bardhë, por me jakën në ngjyrë vishnje dhe të njëjtën ngjyrë kanë edhe mëngët e shkurtra.

ADIDAS ka shkruar edhe “120 jahre” (120 vjet) në pjesën e brendshme të jakës. Në 120 vjet histori, Bayern u kthye nga një skuadër e thjeshtë dhe pa emër, në klubin më të madh të Gjermanisë, dhe një nga më të mëdhenjtë e Europës e të botës.

Ka fituar 29 tituj kampion në Gjermani (një rekord), 19 Kupa të Gjermanisë (rekord), 7 Superkupa të Gjermanisë (rekord), e 6 Kupa të Ligës (rekord). Në Europë ka 5 Champions, duke nisur që nga epoka e Bekenbauer, 1 Kupë UEFA, 1 Kupë të Kupave, një Superkupë të Europës, 2 Kupa Interkontinentale për klubet dhe 1 Kupë të Botës për klubet. Bavarezët kanë gjithsej 72 trofe dhe vetëm Reali e Barcelona mund të mburren se kanë më shumë. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!