Këtë të dielë, në ujërat e Vlorës në intervale të ndryshme kohore, dy veliera me turistë në bord lëshuan alarmin SOS.
Fillimisht mesditën e së dielës, një velierë me dy shtetas të huaj, një gjerman dhe një zviceran, pësoi defekt rreth 5 milje larg gjirit të Gramës.
Pas marrjes së njoftimit, policia kufitare e Dhërmiut dhe anija patrulluese e forcës detare, organizuan ndërhyrjen për shpëtimin e dy të huajve.
Në njoftimin zyrtar të ministrisë së mbrojtjes, thuhet se dy turistët ndodhen në gjendje të mirë shëndetësore, ndërsa mjeti lundrues u shoqërua drejt gjirit të Porto Palermos për procedurat përkatëse.
Një tjetër velierë, në mbrëmje, lëshoi sinjalin SOS.
Për shkak të motit të përkeqësuar dhe detit me dallgë, veliera me tre persona në bord kërkoi ndihmë nga autoritetet detare të Vlorës.
Sipas informacioneve paraprake, veliera ndodhet në zonën mes Sazanit dhe Karaburunit, ndërsa policia kufitare e Vlorës i shkoi në ndihmë tre personave, të cilët janë në gjendje të mirë shëndetësore.


