Sormani: Trashi më i miri në Ballkan, ta fitojmë derbin për të! Mala gati

schedule13:22 - 27 Shkurt, 2020

schedule 13:22 - 27 Shkurt, 2020

Heshtja te Partizani është thyer nga Adolfo Sormani, trajneri italian i të kuqve. Para ndeshjes derbi me Tiranën, e programuar të luhet nesër prej orës 19:00 në “Air Albania Stadium”, ai ka dalë para mediave dhe i është përgjigjur pyetjeve të shumta të gazetarëve të pranishëm në konferencën e zakonshme për shtyp.

“E shikoj në funksion të titullit kampion, si një ndeshje për të ngushtuar diferencën. Këtë ua kam thënë edhe djemve. Është një ndeshje speciale për të gjithë ambientin. Për mua është një ndeshje për t’u fituar”, u shpreh Sormani fillimisht.

I pyetur nëse i druhet Tiranës, italiani u shpreh: “Kam respekt për të gjithë, por frikë absolutisht jo. Kemi punuar fort dhe me entuziazëm. Mendoj se skuadra do japë gjithçka për ta kaluar me sukses këtë ndeshje. Ideja është e njëjta: të japim gjithçka për të fituar”.

 

Presioni në derbi është i pranishëm, sikurse në çdo ndeshje tjetër. Sormani thotë: “Nuk ka presion. Personalisht dua ta fitoj këtë ndeshje dhe askush nuk na vë në presion. Duket e thjeshtë si frazë. Ne duam që ta fitojmë këtë ndeshje”.

“Dua ta fitoj këtë ndeshje për të qenë në luftë për titull. Skuadra është gati dhe ka në dorë të bëjë një ndeshje shumë të rëndësishme. Për mua nuk është derbi, është një ndeshje ku dua të marr maksimumin për të luftuar më pas për titullin kampion. Kam thënë që derbi është një mundësi për të zvogëluar diferencën me Tiranën”.

 

“Nuk do të luajë Trashi dhe më vjen keq. Që kur kam ardhur ka ai është përmirësuar shumë. Për mua është mbrojtësi i majtë në të gjithë Ballkanin. E kam parë se si punon. Më vjen keq, duke ditur që mezi e priste të luante në këtë ndeshje. Na ka kërkuar ta fitojmë këtë ndeshje dhe do të bëjmë gjithçka t’ia plotësojmë dëshirën. Djemtë janë të qetë për ndeshjen dhe do të bëjnë mirë”.

“Mala? Nuk luan që prej 10 dhjetorit. Ai është një lojtar që nuk e ka problem ta fitojë formën fizike. Ka qenë mjaft pozitive mikpritja që skuadra i ka bërë ditën e djeshme. Është e rëndësishme që një i familjes i bashkohet skuadrës. Ka cilësi mjaft të mira”.

“Njoh lojtarë si Torassa dhe Batha, që i kam stërvitur. I njoh si lojtarë dhe si njerëz dhe kam respekt për ta. Gjëja më e rëndësishme është që stadiumi do të jetë plot dhe do të jetë e luftuar dhe spektakolare. Kjo është e rëndësishme”, përfundoi Sormani. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!