Sormani: Skema nuk është vendimtare, ju garantoj vetëm një gjë

schedule13:25 - 20 Janar, 2020

schedule 13:25 - 20 Janar, 2020

Nesër rikthehet Kategoria Superiore dhe Partizani e nis mbrojtjen e titullit kampion ndaj Skënderbeut në Korçë (17:00). Trajneri i “Demave”, Adolfo Sormani ka dalë në konferencën për shtyp, aty ku flet mbi gjendjen e ekipit, fazën përgatitore, merkaton, rivalin e nesërm dhe objektivat.

FAZA – “Kur ekipi ndryshon trajner do të thotë se nuk ka shkuar diçka. Kam punuar në aspektin psikologjik. Më pas ekipi do rritet në aspektin fizik dhe do harmonizohet. Ekipi ka punuar mirë dhe ka pasur shumë dëshirë. Kjo është diçka që më kënaq”.

DEBUTIMI“Emocionet ekzistojnë, janë pjesë e punës. Metoda ime e punës është të jem i kujdesshëm. Momentalisht objektivi i parë është skuadra dhe ndeshja që na pret në Korçë”.

MERKATO “Sa i takon merkatos, flas me drejtorin dhe presidentin. Vazhdojmë të jemi në kontakt dhe synojmë të përmirësojmë çdo gjë. Thelbësore është të punoj me lojtarët që janë, të cilët janë më të mirët e mundshëm. Detyra ime është t’u marr maksimumin dhe ky është objektivi. Kush më njeh e di që nuk flas për individët, por skuadrën. Të fitosh duhet të jesh një skuadër. Edhe skuadrat e mëdha nuk fitojnë me një lojtar”.

OBJEKTIVI “Pres një skuadër që gjithmonë do të fitojë, të jetë e vendosur, agresive, kompakte, ku të gjithë të mbështesin njëri-tjetrin. Kur ndeshja të mbarojë të mos kenë asnjë peng për atë që kanë dhënë në fushë. Futemi në fushë për të fituar, i respektoj të gjitha skuadrat. Para ndeshjeve jemi të gjithë të barabartë, pavarësisht nga renditja. Dua maksimumin nga skuadra ime”.

KRAHASIMI“Skuadra aktuale dhe ajo e para tre viteve? Janë të ndryshme. Skuadra tani ka shumë potencial. Është një grup i ri, që mund të rritet dhe i ka mundësitë”.

KONTINGJENTI – “Për mua janë më të mirët, në kokën time. I respektoj të gjithë dhe ua them kur bëjnë mirë. Lojtarët e mi, për mua, janë më të mirët. Duhet të motivoj skuadrën dhe t’u marr më të mirën”.

MUNGESAT – “Kemi mjaft lojtarë, që do i zëvendësojnë Boldor dhe Melo”.

RIVALËT – “Kukësi është rivali ynë, ashtu sikurse Tirana. Këto mendoj se janë skuadrat që do na rivalizojnë për titull, nisur nga ajo që kanë dhënë deri tani”.

MODULI – “Është i rëndësishëm, pasi u jep besim lojtarëve. Por nuk vendos gjë, pasi lojtarët i interpretojnë. Nëse më thoni ju me çfarë moduli të luaj, OK. Nuk kam një skemë fikse, do vendos sipas situatave. Dua agresivitet nga skuadra”.

PREMTIMI – “Dështimet e trajnerëve të huaj te Partizani? Të punojmë. Njoh vetëm punën, do punoj fort dhe do ua kërkoj edhe lojtarëve. Këtë garantoj. Ju garantoj që do jetë një skuadër me shpirt”.

MALA – “Mala është një çështje e klubit, nuk futem unë. Kur të jetë në dispozicionin tim, atëherë ndryshon situata. Komunikoj me klubin në çdo moment dhe kjo është situata”.

TRASHI – “Nuk shoh arsye t’ia ndryshoj pozicionin. Është paraqitur mirë dhe s’kemi pse. Po shprehet mirë në mbrojtje dhe do luajë aty”.

EKIPI – “Për sa kohë jemi kampionë, duhet të vazhdojmë të fitojmë. Kush vjen te Partizani duhet t’i dijë objektivat. Të gjithë ne duhet të ecim në të njëjtën rrugë”. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!