Sormani i kënaqur: Mora sinjale pozitive, ekipi ka shumë “uri”

schedule22:42 - 10 Janar, 2020

schedule 22:42 - 10 Janar, 2020

Partizani u mposht në miqësore nga Trabzonspor, në ndeshjen e parë të trajnerit Adolfo Sormani. Tekniku italian ka dhënë përshtypjet e para pas ndeshjes, teksa për faqen zyrtare të klubit ka deklaruar:

“Gjithmonë kur nis një aventurë të re natyrshëm ka shumë emocione. Je kurioz të shikosh lojtarët e rinj që do të drejtosh, t’i njohësh, t’i kuptosh ata më mirë. Sigurisht që ka emocionet e veta”.

Në lidhje me paraqitjen e skuadrës, Sormani shtoi: “Mendoj që kemi bërë një ndeshje ashtu siç unë kam kërkuar. Një ndeshje intensive, ku i kam kërkuar lojtarëve të rikthehen dhe të luajnë si skuadër.

Të luftojnë të bashkuar, me dëshirën për të vuajtur të gjithë së bashku të sakrifikojnë, që në fund të dalin të gjithë triumfues. Në këtë sens them se kam marrë sinjale shumë pozitive, si në pjesën e parë, ashtu edhe në të dytën. Edhe lojtarët e rinj që aktivizova, për mua kanë dhuruar një ndeshje dhe paraqitje shumë të mirë”.

Trajneri i Partizanit ka folur edhe për përgatitjet: “Jemi të gjithë shumë të kënaqur si unë ashtu edhe stafi. Dua të theksoj se ka një dëshirë dhe bashkëpunim shumë të madh nga të gjithë lojtarët. Të gjithë si grup po demostrojnë entuziazëm në përgatitjet që po zhvillojmë.

Kanë dëshirë, edhe pse po përballen me module dhe skema të reja që po aplikojmë në stërvitje. Kemi vërtet entuziazëm dhe përqëndrim të rinisim fort dhe t’i tregojmë tifozëve tanë që jemi mjaft të lidhur me Partizanin dhe duam të luftojmë për këtë skuadër”.

Partizani do të luajë edhe një miqësore tjetër, këtë herë me hungarezët e Honved me 15 janar. Sormani shprehet kështu për atë përballje: “Është një tjetër ndeshje afër, e cila na mundëson të përmirësojmë kondicionin fizik, por edhe do të na shërbejë për të punuar mbi të gjitha në aspektin tekniko-taktik dhe sidomos në harmonizimin e grupit si skuadër”. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!