Sormani hap kartat: Dua një Partizan agresiv, pa futbollin nuk do jetoja dot

schedule14:34 - 17 Janar, 2020

schedule 14:34 - 17 Janar, 2020

Adolfo Sormani ka futur në skaner Partizanin e tij. Italiani ka folur gjerë e gjatë për faqen e klubit dhe tregon si kanë shkuar përgatitjet, si e ka parë ekipin, porositë që ka për lojtarët, ndërkohë që thekson se në përbërje kanë të rinjë interesantë, me të cilët duhet të punohet shumë për t’i rritur.

NJOHJA ME EKIPIN – “Kjo fazë përgatitore ishte një mundësi shumë e mirë për mua për të njohur të gjithë lojtarët. Edhe pse shumë prej tyre i njoh, përgatitjet këtu më kanë dhënë një dorë të mirë për t’u familjarizuar edhe më shumë me grupin. Gjatë gjithë fazës kam shfrytëzuar çdo orë dhe çdo moment për të folur me lojtarët dhe për t’i njohur më mirë”.

FAZA PËRGATITORE – “Kanë qenë ditë shumë intensive, pasi kemi punuar shumë. Gjithashtu në aspektin fizik duhet të përmirësohemi ende shumë, për të plotësuar pritshmëritë që unë kam për këtë skuadër dhe për të aplikuar idetë që unë kam për futbollin. Vullneti dhe sjellja e skuadrës ka qenë shumë pozitive. Të gjithë kanë bashkëpunuar dhe kjo është shumë e rëndësishme”.

MËNYRA E LOJËS – “Nëse mendon se pas 8 ditëve lojtarët i kanë asimiluar idetë që ke për futbollin, atëherë duhet të jesh i çmendur. Unë në këtë aspekt jam shumë i ekuilibruar, por gjatë ndeshjeve miqësore kam vënë re dëshirën e skuadrës për të aplikuar në fushë atë që kam kërkuar në stërvitje. Sipas meje ky është një detaj shumë i rëndësishëm, pasi nëse nuk je i uritur dhe me dëshirë për të bërë gjërat, atëherë nuk mund të realizosh asnjë objektiv që ke vendosur”.

MIQËSORET DHE TË RINJTË – “Kam evidentuar cilësi tek disa të rinj, të cilët kanë potencial për të shkuar më larg. Por duhet të punojmë shumë me ta, t’u kushtojmë kohë dhe t’i mësojmë për t’u dhënë mundësinë të përmirësohen. Ata duhet të jenë të bindur që besojmë tek ata dhe janë e ardhmja e klubit të Partizanit”.

“Nga ana tjetër kam vënë re edhe dëshirën e të ashtuquajturve senatorë për të bashkëpunuar, për të mbështetur më të rinjtë dhe për të injektuar tek ata mentalitetin e të qënit konkurrues. Kjo në mënyrë që Partizani të jetë gjithashtu një skuadër më konkurruese”.

SKËNDERBEU – “Do punoj për të hedhur në fushë një skuadër që aplikon sa më shumë idetë e mia. Dua të shikoj në fushë një skuadër agresive, të vendosur për të aplikuar futbollin që ka në kokë dhe nuk ka frikë nga asgjë. Asnjë ndeshje nuk është e lehtë. Askush nuk është më i mirë apo më i keq se ty përpara ndeshjes. E theksoj, pres të shikoj në fushë një skuadër me kurajo, një skuadër të uritur për të marrë rezultat”.

RIKTHIMI – “Emocionet në futboll janë përherë aty, pasi është një punë që unë e bëj me pasion dhe e dua. Më pëlqen të trajnoj, edhe pse më kushton shumë lodhje. Nuk mendoj se do të bëja dot pa futbollin në jetën time dhe në këtë aspekt, çdo herë e parë është e veçantë, edhe pse unë kam qenë edhe më parë pjesë e skuadrës”.

“Përballë meje qëndron përherë sfida për të fituar diçka të rëndësishme, prandaj gjithë ekuilibrin, vendosmërinë dhe zemërimin që ke brenda duhet të jesh në gjendje t’ua transmetosh lojtarëve”, ka përfunduar Sormani në deklaratën e dhënë për faqen zyrtare të klubit të kuq. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!