Merkato e Superiores prodhon lajme të shumta. Një nga temat kryesore është trajneri i ri i Partizanit. Emrat e lakuar për të pasuar në pankinë italianin Franco Lerda janë të shumtë dhe së fundmi në skenë ka dalë edhe Adolf Sormani.
“Pengu” i presidentit Gaz Demi ishte një opsion dhe në verë, por u vendos t’i besohej Lerdës. “Panorama Sport” raporton se po tentohet rikthimi i Sormanit. Mbetet të shihet nëse do të arrihet një marrëveshje.
Lajme të tjera merkatoje, që janë veçuar edhe në faqen e parë të gazetës së lartpërmendur, janë ato që lidhen me Rubin Hebajn dhe Jurgen Çelhakën. Për të parin raportohet se është pranë rikthimit te Vllaznia.
Sulmuesi ditë më parë është larguar nga Vorskla Poltava dhe më e rëndësishmja është që të kalojë në një ekip ku të ketë minuta. Është momenti që të luajë dhe të tregojë sa vlen. Në Shkodër një sulmues po u mungon dhe ndoshta është momenti i duhur për rikthimin e Hebajt.
Sa i takon talentit të Tiranës, thuhet se për të ka interesim nga jashtë vendit. Çelhaka po ndiqet nga gjiganti kroat, Dinamo Zagreb. Paraqitjet e tij në Superiore kanë qenë të mira dhe në klubin e Tiranës janë të gatshëm të bisedojnë për ofertën e duhur. / abcnews.al