Soreca: BE të njohë progresin e Shqipërisë

schedule18:10 - 6 Qershor, 2019

schedule 18:10 - 6 Qershor, 2019

Ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë, Luixhi Soreka ka deklaruar se BE duhet ta njohë progresin që ka bërë Shqipëria në rrugën e integrimit. Në një intervistë për gjermanen “Di Velt”, Soreka ka nënvizuar se vendet anëtare duhet të kenë parasysh se hapja e negociatave nuk do të thotë anëtarësim në BE.

Ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë, Luigi Soreka ka deklaruar se hapja e negociatave të anëtarësimit për Shqipërinë do të ishte një sinjal inkurajues që BE i jep vendit. Në një intervistë për gjermanen “Di Velt”, Soreka ka nënvizuar se hapja e negociatave ka të bëjë me progresin dhe jo me zgjidhjen e të gjitha problemeve.

“Hapja e negociatave nuk do të thotë anëtarësim në BE. Do të thotë se vendi ka arritur një nivel domethënës progresi sa u takon prioriteteve të kërkuara nga Komisioni dhe Këshilli Europian dhe se tendencat në vend janë pozitive”, ka deklaruar Soreka.

Sipas diplomatit europian, është me rëndësi të shmanget ngatërresa që për hapjen e negociatave vendi duhet të jetë në nivelin e anëtarësimit në BE.

“Kjo do të arrihet në përfundim të procesit, sikurse ka ndodhur për të gjitha vendet e tjera që janë anëtarësuar. Ndaj, aktualisht ne duhet të fokusohemi tek progresi domethënës, që konfirmon zotimin për të arritur më pas një progres të qëndrueshëm”, ka thënë Soreka.

Ai ka theksuar se është koha që Bashkimi Europian të marrë një vendim sa i takon rrugës europiane të Shqipërisë.

“Ne jemi shumë të vetëdijshëm se vendimi i qershorit ka një rëndësi kritike për të ardhmen e vendit. Është një vendim shumë domethënës në radhë të parë për popullin shqiptar, që ka interesin më të lartë për t’u bashkuar me Europën sesa të gjithë popujt e tjerë në pjesën jug-lindore të kontinentit të vjetër”, ka shtuar Soreka. /ABC News Albania 24/7