Sopiku i Ali Pashës/ Andrea Kumbi rrëfen në emisionin “N’kufi” marrëdhëniet midis shqiptarëve dhe minoritarëve: Miq me shekuj

schedule19:31 - 13 Tetor, 2024

schedule 19:31 - 13 Tetor, 2024

Ndoshta pakkush e di që livadhet ku Ali Pashë Tepelena vinte me karvanin e mushkave në rininë e tij, janë pikërisht në zonën e Sopikut, në majë të malit të Nëmërçkës.

Dhe kur Aliun e vranë, doli kënga, “Harro mushkë Valarënë…”.

Pikërisht këtu është hapur pika e Kalimit Kufitar të Sopikut në vitin 2002 dhe funksionon për kalimin e shtetasve banorë të zonës së Pogonit.

Është 80 km larg nga Gjirokastra. Sektori kufitar prej piramidës 14 deri në piramidën 21, është 20 km.

Në pikën kufitare mund të shkosh vetëm më makina për rrugë malore, rruga është në ndërtim e sipër.

Andrea Kumbi, banor i Sopikut, na merr me makinën e tij, së cilës, ia ndërron gomat çdo muaj.

Me Andrean ecim nëpër shtigjet e dhenve. Ai ndan për emisionin “N’kufi” situata dhe problematika që hasen më së shumti, ndërsa flet edhe për marrëdhëniet midis shqiptarëve dhe minoritarëve.

“Jam rritur ne internim, kam jetuar në Lunxheri, janë njerëz të respektuar”, na thotë duke u ankuar sesi media i trajton problemet e këtyre zonave dhe marrëdhëniet midis shqiptarëve dhe minoritarëve. “Jemi miq me shekuj, hamë, pimë bashkë”, thotë me zë të lartë, duke shtuar “Lëreni popullin të jetojë se rregullohemi vetë”.

Nuk mungon as humori teksa tregon se si është njohur me bashkëshorten. E ka rrëmbyer gruan, Vasilika, apo Vasiliqi, në gjuhën e nënës dhe vazhdojnë të jenë të dashuruar edhe pas 40 vjetësh.

“Po ç’të bëjmë, të marrim malet?”, na thotë Vasilika me një të qeshur kumbuese.

/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!