Është një fshat në Divjakë me pamje të shkretuara. Aty banorët jetojnë si në një të kaluar të hershme, pa rrugë e drita, pa ujë e mes ndotjes.
Nëse doni të shihni pamjen e një fshati të pas Luftës së Dytë Botërore vizitoni Sopëzën. Prej 70-vjetësh këtu nuk pati asnjë investim serioz. Zona e cila ndodhet nën administrimin e bashkisë Divjakë, nuk ka alternativa zhvillimi as në 2018-n. Më e dukshme prapambetja shihet në sytë e emigrantëve shqiptare dhe të huaj. Mungesa e rrugëve, dritave, ujit dhe pastërtisë, ka ngjallur reagimin e familjeve të ardhura në fshat, të cilët kërkojnë ndryshimin. Familja Peqi ka dasëm këtë vere, ndaj duke mos gjetur mbështetjen e Bashkisë Divjakë, vendosi të investojë vetë në rrjetin elektrik dhe në ujësjellës.
Alfred Peqi: “Çdo vit që vij janë problemet më të shumtat nga shumë gjëra. Nga uji i pijshëm nga elergjia elektrike e kam marrë me djersën time e me shpenzimet e mia.”
Për grekët e ardhur në Sopez së bashku me miqtë e tyre, një situatë e tillë në vendin helen do të kishte ngritur në këmbë gjithë popullin. Askush nuk mund të mbyllë sytë përpara një situate të tillë ku asgjë nuk lëviz.
Tolias Jorgos: “Problemi më i madh i fshatit këtu është rruga, pastërtia dhë uji. Kaq afër me Greqinë, populli është emigrant në Greqi edhe është gjynah.”
Të rinjtë e mbetur në fshat kërkojnë të largohen. Edhe ata duan të emigrojnë, jo për mungesë të ardhurash, por për shërbimet jetike. Jeta e një të riu, i cili nuk ka ujë në shtëpi për tu larë, drita për të parë dhe rrugë ku të lëvizë makina, është e papërballueshme.
Banori: “Kam gërvishtur dy herë makinën, nuk shkëmbehesh dot. Një shok që erdhi para një jave nga Italia, ishin hapur gropa dhe se dinte, çau gomat e makinës.”
Fshati Sopez aktualisht numëron rreth dy mijë banorë, por gjysma e tyre janë larguar. Fati i njëjtë e pret edhe gjysmën tjetër dhe nëse pushteti vendor nuk reagon së shpejti do të numërohen shtëpite e zbrazura./abcnews.al