Sonte nata e parë e Sunny Hill Festival

schedule15:11 - 10 Gusht, 2018

schedule 15:11 - 10 Gusht, 2018

Me një numër të madh artistësh të konfirmuar si në tregun botëror dhe atë shqiptar, “Sunny Hill Festival” nis sonte edicionin e dytë në Kosovë. Në natën e parë, do të këndoje edhe ylli i ri i popit botëror, Dua Lipa.

72 orë muzikë në “Sunny Hill Festival”. Dua Lipa këndon sonte, në natën e parë në Prishtinë.
Festivali i cili qëmton ta vendosë Kosovën në hartën e kulturës për të provuar se vendi më i ri evropian nuk mund të identifikohet vetëm me skandale apo konflikte, tërheq vëmendjen e shtypit të huaj të shkruar.

Kryesisht ato britanike, si “The Guardian” e përkufizojnë “Sunny Hill Festival”, jo thjesht një skenë ku do të këndojnë artistë të konfirmuar në skenat ndërkombëtare dhe ato shqiptare, por si një mënyrë për të ndihmuar në përshpejtimin e procesit të përmirësimit të imazhit të vendit.
Dhe këtë po e bën artisti Dukagjin Lipa, që angazhimin ia lehtëson e bija, Dua Lipa, ylli i ri i popit botëror, që vitin e kaluar ishte numri një në renditjen e këngëve më të mira me “New Rules” (“Rregullat e reja”).

Këngë të cilën me siguri Dua do ta këndojë edhe sonte në mbrëmje në “Sunny Hill Festival”, që nis rrugëtimin tre ditor me pjesëmarrjen e mbi 30 artistëve të huaj dhe shqiptarë.
Kjo foto e shkrepur gjatë paradites në Parkun Kombëtar të Gërmisë, aty ku do të mbahet festivali, tregon se gjithçka është gati për sonte në mbrëmje. Në skenën pas krahëve të dhjetëra të rinjve që kontribuojnë vullnetarisht për ti treguar fqinjëve ballkanikë dhe Evropës se Kosova është një vend paqe dhe muzikëdashës, do të ngjiten 13 artistë, të gjithë emra të njohur të muzikës shqiptare. E fundit do të këndojë Dua Lipa.
“Sunny Hill” vazhdon mbrëmjet e tij me të tjerë artistë të shtunën dhe të dielën, po aq të suksesshëm në krijimtarinë e tyre./abcnews.al