Sondazhi/ Qytetarët s’kanë besim te qeveria dhe institucionet, shqiptarët të zhgënjyer nga Reforma në Drejtësi

schedule20:19 - 12 Maj, 2020

schedule 20:19 - 12 Maj, 2020

Besimi i qytetarëve shqiptarë në institucionet shtetërore në vend ka rënë ndjeshëm. Ky është rezultati i një sondazhi të përvitshëm që Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim zhvilloi në 61 bashki në të gjithë vendin.

Rënia e besimit ka përfshirë institucionet e qeverisë, parlamentit, presidentit, partitë politike dhe tek drejtësia. Sipas të dhënave të sondazhit 23.4% nuk kanë aspak besim te qeverisja qendrore ndërkohë që 24% në atë vendore.

Rreth 29% e të anketuarve nuk kanë besim te institucioni i Presidentit të Republikës teksa parlamenti ka besimin e 4% të qytetarëve.

Të anketuarit shprehin rezerva për zyrtarët dhe aktorët politikë duke pretenduar se këta të fundit më shumë se sa nevojat e komunitetit mendojnë për interesat e tyre. Besim më të lartë të qytetarët e anketuar kanë shprehur tek institucionet fetare, ushtria, arsimi dhe shoqatat.

Ajo që bie në sy gjatë sondazhit është një rënie e besimit në efektet që do të prodhojë reforma në drejtësi. 6 nga 10 shqiptarë nuk besojnë në ndëshkimin e korrupsionit të vogël, ndërsa 7 në 10 shqiptarë nuk besojnë në ndëshkimin e korrupsionit të madh.

Mbi 60 për qind e shqiptarëve besojnë se agjenda e gjykatave ndikohet shumë nga interesat politike, ndërsa prokurorinë e vlerësojnë si shumë të ndikuar nga interesat politike. Sipas sondazhit, afro 1 në 2 shqiptarë besojnë se reforma në drejtësi do të ketë ndikojë pozitivisht në zhvillimin e vendit, por gjysma tjetër pohojnë se reforma nuk po kryhet me korrektësi.

Sipas qytetarëve të anketuar, “reforma po bëhet sa për sy e faqe”, se “ajo nuk ka ndikim të vërtetë”, se “kjo reformë është proces selektiv, ku po ndëshkohen disa për t’u shërbyer atyre, që kanë mbështetje të fuqishme”. Reforma në drejtësi perceptohet si proces politik e jo thjesht si proces ligjor. Pjesëmarrësit mbi 55 vjeç raportuan ndikim të kufizuar pozitiv të reformës, sepse sipas tyre, “procesi është i lidhur me interesa të caktuara politike”.

Mbi 85 për qind e të anketuarve pohojnë se korrupsioni i nivelit të lartë dhe atij të ulët është një dukuri e përhapur gjerësisht në shoqërinë shqiptare. Sipas tyre, institucionet më të korruptuara janë drejtësia, spitalet, dhe qeveria, e më pas janë parlamenti, policia dhe bashkitë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!