Sondazhi: Një në tre biznese kanë reduktuar stafin gjatë pandemisë

schedule13:31 - 16 Korrik, 2020

schedule 13:31 - 16 Korrik, 2020

Një në tre biznese të vogla në të gjithë botën, janë detyruar të reduktojnë stafin e punëtorëve gjatë muajit maj për t’i mbijetuar pandemisë COVID-19. Kështu thuhet në sondazhin e realizuar nga Facebook së bashku me Organizatën për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik si dhe Bankën Botërore, i cili tregon vështirësitë e ekonomisë botërore gjatë pandemisë, shkruan Reuters.

Rreth 26 për qind e bizneseve të vogla e të mesme, bëjnë të ditur se u mbyllën nga mesi i muajit janar dhe muajit maj 2020. Sondazhi mori në studim mbi 30 mijë drejtues të bizneseve të vogla nga 50 shtete.

Tek bizneset që kanë qëndruar të hapura kur është zhvilluar sondazhi, është vënë re se thuajse dy e treta e tyre kanë pasur ulje të shitjeve në 30 ditët e fundit, krahasuar me periudhën e njëjtë të një viti më përpara, raporton abcnews.al

Për t’i bërë ballë “sfidës më të madhe në histori”, një e treta e bizneseve të vogla deklaruan se kanë reduktuar fuqinë punëtore.

“COVID-19 nuk është vetëm një emergjencë publike, por edhe një krizë ekonomike që po godet bizneset e vogla e të mesme”, thuhet në raport.

Studimi përfshiu një anketë të bizneseve të vogla dhe të mesme për një periudhë 6 mujore. Anketa theksoi se sektorët që përqendrohen tek konsumatori janë goditur më rëndë. Rreth 54 për qind e agjencive të turizmit dhe 47 për qind e bizneseve të vogla që merren me organizime eventesh, bënë të ditur se ishin mbyllur gjatë  periudhës së sondazhit, raporton abcnews.al

Bizneset e drejtuara nga gratë kishin më shumë gjasa të ishin mbyllur gjatë kohës së sondazhit, krahasuar me firmat e drejtuara nga burrat./abcnews.al