Sondazhi i dytë: PS, 51.1 përqind. Vijon rritjen, më shumë mandate në Elbasan dhe Fier

schedule23:09 - 28 Prill, 2025

schedule 23:09 - 28 Prill, 2025

Zgjedhjet e 11 majit po sjellin një humor atipik politik tek votuesit. Shqiptarët duken të largët me fushatën, por të qartë për votën.

Sondazhi i dytë parazgjedhor i ABC News dhe Angi Ricerche, kësaj radhe një kampionim më i gjerë, i jep Edi Ramës dhe Partisë Socialiste një rezultat historik në dy qarqet më të mëdha pas Tiranës, Fier dhe Elbasan, kurse aleanca Berisha-Meta mund të përfundojnë më keq se Luli pas Ccadrës në 2017.

Sipas të dhënave, Partia Socialiste rikuperon në Fier, mandatin e 10-të të humbur në zgjedhjet e 2021, dhe është shumë pranë mandatit të 11-të, në rast se asnjë parti e vogël nuk siguron e shumta një mandat.

Partia Demokratike në këtë qark, bashkë me ish-Lëvizjen Socialiste për Integrim, bien me 5% dhe humbasin bashkë 2 mandate. Shtuar këtu, largimi i Alibeajt dhe Agron Kapllanajt, lë opozitën me vetëm 5 mandate.

Edhe në Elbasan, Partia Socialiste siguron mandatin e 9-të, ndërsa i 10-ti, do të vendoset nga formula zgjedhore. Por Partia Demokratike, me ish-LSI-në, por pa Dashnor Sulën, bien me 6%, dhe rrezikon të humbë 2 mandate nga 2021, dhe të ngelet me 4.

Erërat fryjnë në favor të Partisë Socialiste, pasi partitë e vogla sipas sondazhit nuk marrin dot mandate si në Fier, edhe në Elbasan, dhe votat e tyre i kalojnë partisë kryesuese. Ndërkohë në rang kombëtar, Rama vijon një rritje të lehtë, kësaj radhe shkon në 51.1%, kurse Berisha-Meta vijojnë rënien duke humbur 9 pikë në krahasim me 2021.

Por sondazhi i ABC News dhe Angi Ricerche, nxjerrin dhe një anë tjetër të medaljes.

Kjo fushatë, ka lënë indiferentë qytetarët. Mitingjet dhe fjalimet e Ramës, shoqëruar me ndonjë deklaratë për disa të gabuar, pëlqehet në masën 34%.

Kurse për doktorin, instruksionet e La Ccivitës, nuk po i hyjnë fort në punë.Fushata e PD pëlqehet në masën 18%, një shenjë kjo, se Berisha, në sytë e qytetarëve, i pëlqehet më shumë egërsia, se sa butësia, dhe kjo rënie e tij, vjen shoqëruar gafat e moshës, apo premtimet madhështore.

Megjithatë, Rama duket se garën më tepër se sa me kundërshtarët e ka me veten. Në këtë sondazh të dytë, edhe si kryetar i PS edhe si kryeministër, vlerësohet pozitivisht nga 53% të anketuarve.

Kurse Berisha, më tepër se sa me kundërshtarin në pushtet, do e ketë me konkurrentët në opozitë. Doktori rezulton lideri i tretë më i pëlqyer me 33.7%, po aq sa ish-deputeti i tij Agron Shehaj, kurse Adriatik Lapaj rezulton më i pëlqyer edhe si lider edhe për fushatën.

Ky sondazh i dytë i ABC News dhe Angi Ricerche, përfshiu intervista me 8400 qytetarë, nga të cilët 3 mijë u përgjigjën plotësisht. Sondazhi i tretë dhe i fundit, do të publikohet të hënën e radhës në Real Story. Ai sondazh do të testojë humorin e votuesve në Tiranë dhe Shkodër./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!