E mërkura shënon 21 janarin e 15-të me 4 viktima, por pa drejtësi. Po faji pse mbetet jetim nga drejtësia?
Kësaj pyetje, pas një dekadë e gjysmë, shumica dërrmuese e shqiptarëve, 63.2% i përgjigjen me mungesën e vullnetit nga drejtësia për të zbardhur ngjarjen plotësisht dhe vendosur autoret para përgjegjësisë.
19.3% e cilësojnë drejtësinë të paaftë, kurse vetëm 17.5%, kryesisht demokratë, mendojnë se s’ka prova.
Por cila ishte përgjegjësia e qeverisë së atëhershme të Sali Berishës dhe opozitës së Edi Ramës?
26.7%, apo Demokratët, fajësojnë Ramën se i çoi protestuesit drejt një masakre të paralajmëruar.
25.4% mendojnë se Rama ishte po aq fajtor sa Berisha.
Por 47.9%, apo Socialistët kanë një peng nga ajo ditë: faktin që Edi Rama dhe PS nuk e çuan protestën deri në fund.
Sa për përgjegjësinë e qeverise se PD ne 21 janar, gati 63% e shqiptarëve shprehen të sigurt se Sali Berisha kreu krim shtetëror duke vrarë qytetarët e vet. Vetëm Demokratë, 17,9% mendojnë se mbrojti shtetin.
Pavarësisht se kanë kaluar 15 vite, shqiptarët mendojnë se 21 janari duhet të jetë dosja prioritete e SPAK dhe drejtësisë së re.
40.1% e cilësojnë çështje kryesore për tu hetuar, 25.7% mendojnë se duhet hetuar korrupsioni aktuale i qeverisë, ndërsa 34.2% korrupsionin e të gjitha qeverive.
2026 nuk është një vit elektoral, por ka nisur thuajse si i tillë. PS nga njëra anë ecën drejt reformave dhe integrimit europian, nga ana tjetër Edi Rama ka marrë ftesën zyrtare nga Presidenti i SHBA, Donald Tramp për Bordin e Paqes. Në fillim të këtij viti të gjatë, partia e cila qeveris vendin ka shtuar mbështetje, 3.2%, për herë të parë pas zgjedhjeve të 11 majit, nga 43.9% në 47.1%.
Partia Demokratike, e cila e nisi vitin aty ku e la, me foltore, protesta dhe revolucione, mbetet aty ku e la, në 25%. Po ashtu dhe partitë e vogla, ato mes revolucioneve imagjinare kundër Ramës dhe refuzimit të ftesave të Berishës, po treten të vetmuar. Shenje e kësaj, ishte dhe protesta e Qorit, e cila nuk ishte me pak, por as më shumë se foltorja e Sali Berishës pak minuta më herët, poshtë dritares së kryeministrit.


