Sipas një sondazhi nga YouGov, europianët janë ende skeptikë ndaj AstraZeneca edhe pse studimet shkencore kanë zbuluar se vaksina është e sigurt dhe efektive.
Një numër i konsiderueshëm i francezëve, gjermanëve, italianëve dhe spanjollëve e konsideronin vaksinën të pasigurt, sipas YouGov, megjithëse besimi te vaksinat e tjera nga Pfizer Inc dhe Moderna Inc mbetet i njëjtë.
“Jo vetëm që kemi parë rritje të konsiderueshme në ata që e konsiderojnë të pasigurt vaksinën në dy javët e fundit në Europë, por vaksina AstraZeneca është cilësuar më pak efektive se homologët e saj Pfizer dhe Moderna”, tha gazetari kryesor i të dhënave në YouGov Matt Smith në nje deklarate.
61% përqind e francezëve të anketuar thanë se vaksina ishte e pasigurt, një rritje prej 18 përqindje krahasuar me muajin Shkurt, tha YouGov.
Pak më shumë se gjysma e gjermanëve të anketuar mendonin se vaksina ishte e pasigurt, një rritje prej 15% krahasuar me Shkurtin, ndërsa 43% e italianëve kishin dyshime serioze, një rritje prej gati një e treta.
Spanja dhe Italia kishin të njëjtën përqindje për sa i përket mosbesimit ndaj vaksinës.
Vetëm britanikët besonin se vaksina ishte e sigurt dhe efektive. Ndërsa Agjencia Europiane e Barnave (EMA) ka hetuar raportet e mpiksjes së gjakut te pacientët e injektuar me AstraZeneca, në një deklaratë javën e kaluar tha se përfitimet tejkalonin rreziqet dhe vazhdon të rekomandojë përdorimin e saj.
Këtë muaj një sërë vendesh europiane, duke përfshirë Francën, Gjermaninë dhe Italinë ndaluan përdorimin e saj pasi Danimarka dhe Norvegjia raportuan raste të mpiksjes së gjakut dhe një numër të ulët të trombociteve.
Sondazhi i YouGov anketoi 1,672 britanikë, 2,024 gjermanë, 1,022 francezë, 1,016 italianë, 1050 spanjollë, 1,004 danezë dhe 1,017 suedezë nga data 12 mars deri në 18 mars 2021. s.ba/abcnews.al