Në sondazhin e përjavshëm në ekranin e ABC News u komentua protesta e fundit e Berishës, ku sipas shifrave të anketuarit dënojnë dhunën e Berishës.
Analisti Eduart Zaloshnja tha se mbështetja për PD-ASHM po pëson tkurrje të vazhdueshme, ndërsa një pjesë e elektoratit të saj nuk e dënon dhunën.
Sipas tij, nga 12 janari PD nuk ka shënuar rritje, ndërkohë që PS ka pasur një rritje graduale dhe aktualisht renditet 3 pikë më lart. Zaloshnja thekson se PD ka arritur një “dysheme elektorale”, ndërsa pjesëmarrja në protesta po vjen në rënie nga java në javë.
“Ata që nuk e dënojnë dhunën, 20 për qindëshi, shumica janë njerëz që votuan për PD-ASHM. Brenda këtij 20 për qindëshi ka një ndarje ku një pjesë përkrah dhunën, ndërsa pjesa tjetër shprehen të dyzuar se kjo përsëritje e dhunës nuk sjell rezultat. Nga java në javë ka një tkurrje të njerëzve besnikë ndaj Berishës. Në gjithë këtë elektorat kanë votuar 500 mijë banorë të vendit për PD-ASHM dhe ka ngelur një bërthamë e ngushtë fanatike e Berishës që çfarëdo të kërkojë ai ata janë dakord. Ajo pjesa tjetër nuk e ndjen më veten që t’i shkojnë pas Berishës.
Nga java në javë, nga 12 janari PD nuk ka asnjë lloj rritjeje, ndërkohë që PS është rritur në mënyrë graduale dhe sot është 3 pikë më lart. Përkthimi është se PD ka arritur një bazament, dysheme elektorale kur vjen puna për përkrahje, sepse çdo 10 ditë nuk shtohen pjesëmarrësit në protesta, por zvogëlohen. Mendoj se protesta e së shtunës nuk do të jetë si ajo e fundit, do të ketë rënie.
PD e voton vetëm treçereku e atyre që e votuan para 9 muajsh.”


