Sondazhet në Maqedoni/ Zgjedhje të parakohshme? Zaev fiton

schedule10:53 - 16 Tetor, 2018

schedule 10:53 - 16 Tetor, 2018

Në një situatë të tensionuar politike në Maqedoni për shkak të debateve në parlament për ndryshimet kushtetuese, sondazhet tregojnë se në rast zgjedhjeve të parakohshme, fituese do të ishte LSDM e kryeministrit Zoran Zaev.

Sondazhet më të fundit në Maqedoni për situatën aktuale politike në vend tregojnë se 32,6 për qind e të intervistuarve mendojnë se Maqedonia po lëvz në drejtim të gabuar. Në sondazhin e hartuar nga “Instituti Tim” për televizionin maqedonas 24 TV, del se 32.2 për qind mendojnë se vendi është në rrugën e duhur. Lidhur me pyetjen se cila është çështja më e rëndësishme me të cilën përballet Maqedonia në këtë moment, prej 1096 të anketuarve të moshës mbi 18 vjeç, pjesa më e madhe, 35.1 për qind, shprehen se ekonomia dhe punësimi janë problemi më i rëndësishëm. Më pas integrimet euro-atlantike dhe situata e përgjithshme politike.

Sa i përket rezultatit të referendumit për emrin, 46.1 për qind e të anketuarve mendojnë se qeveria duhet të respektojë vullnetin e shumicës që e mbështetën Marrëveshjen, dhe duhet të vazhdojnë procesin e zbatimit të tij, ndërsa vetëm 32 për qind e të anketuarve këmbëngulin se qytetarët e kanë refuzuar atë duke bojkotuar referendumin.
Më shumë se gjysma e të anketuarve, ose 51.5 për qind e qytetarëve dëshirojnë që pas referendumit parlamenti të miratojë marrëveshjen me Greqinë për emrin, ndërsa 34 për qind do të donin që Parlamenti të refuzojë Marrëveshjen.

Në rast të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, shumica e të anketuarve, apo 29.1 për qind do të votojnë për koalicionin e udhëhequr nga LSDM-ja dhe 18.1 për qind për koalicionin e VMRO – DPMNE. Sondazhi u krye në periudhën nga 6 deri më 9 tetor 2018./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!