Një autogol i Axel Tuanzebe pesë minuta përpara fundit të ndeshjes, i hoqi Manchester United mundësinë të siguronte fitoren e 11-të radhazi jashtë fushe në Premier League (duke llogaritur edhe sfidat e fundit të sezonit të kaluar).
2-2 përfundoi sfida e luajtur në fushën e Leicester City, rezultat që ka lënë të zhgënjyer Ole Gunnar Solskjaer, trajnerin e “Djajve të Kuq”. “Krijuam shumë raste për gol, por nuk ia dolëm të siguronim fitoren. Jam shumë i zhgënjyer nga ky rezultat.
Morëm vetëm një pikë, sigurisht që është më mirë se sa fare, por mund të kishim fituar këtë përballje, duke u nisur nga fakti që kishim më shumë raste për gol se sa kundërshtarët tanë. Jemi në një fazë të komplikuar sa i përket kalendarit.
Do të luajmë sërish pas tre ditëve, do të zbresim në fushë ndaj Wolves. Do të bëjmë të pamundurën për t’u përgatitur sa më mirë dhe për të rikuperuar energjitë e shpenzuara. Do të jemi gati për këtë duel“, përfundon trajneri nordik. /abcnews.al