Manchester United ndodhej në presion, por ia doli të fitonte 1-3 në fushën e Everton. Një triumf i rëndësishëm përballë një ekipi të fortë dhe i ardhur në momentin e duhur.
Trajneri i “Djajve të Kuq”, Ole Gunnar Solskjaer foli pas ndeshjes duke vlerësuar lojën e djemve të tij, teksa kritikon organizatorët e garës për kohën e pakët në dispozicion dhe pabarazinë me ekipet e tjera.
“Dua të ndalem tek orari i ndeshjes. Luajtëm të mërkurën në mbrëmje në Champions dhe është e pabesueshme që ndeshjen e sotme e Everton e kishin vendosur në orën 13:30.
Dua të falënderoj djemtë për karakterin e treguar, nuk e meritonin aspak të dështonin në këtë sfidë. Kush mban përgjegjësi për kalendarin?
City dhe Liverpool luajtën të martën në Champions, ndërkohë që në kampionat do të zbresin në fushë të dielën. Shqetësim i madh pasi nuk kemi kohë për t’u rikuperuar.
Kalendari i ngjeshur në këtë periudhë pandemia, është stresues në aspektin fizik dhe atë mental. Gjithsesi, sot u treguam fantastikë në një ndeshje shumë të rëndësishme“, deklaron Solskjaer. /abcnews.al