Manchester United fitoi 2-3 në fushën e Southamton, takim ku shkëlqeu Edinson Cavani. Vendasit e mbyllën pjesën e parë në avantazh të dyfishtë, por “El Matador” u fut në fushë në pjesën e dytë dhe përmbysi gjithçka.
Në fillim dhuroi asistin e golit të Bruno Fernandes, ndërsa më pas realizoi dy gola, duke i dhuruar një trepikësh fantastik “Djajve të Kuq”. Ole Gunnar Solskjaer ka folur pas sfidës, duke mos i kursyer elozhet për bomberin uruguaian.
“Skuadra po përmirësohet gjithnjë e më shumë, ndodhemi në formë të mirë dhe po shihet qartë një gjë e tillë. Pjesa e parë ishte e shpifur, por në pjesën e dytë bëmë gjithçka mirë.
Cavani? Pati një impakt fantastike. Ai është një numër 9, i cili lëviz e vrapon shumë, dëshiron gjithmonë të dalë përpara portës dhe jam shumë i kënaqur me të. Sekreti i Cavanit është uria për të shënuar“, deklaron trajneri norvegjez. /abcnews.al