Liverpool-Manchester United përfundoi në barazim pa gola, rezultat që ndihmoi miqtë të ruanin vendin e parë. Rezultati i 12-të radhazi pozitiv për “Djajtë e Kuq”, të cilët po i befasojnë të gjithë me kampionatin që po zhvillojnë.
Trajneri i United, Ole Gunnar Solskjaer foli për Sky Sport pas ndeshjes. Norvegjez analizoi takimin e luajtur në “Anfield”, duke theksuar se është i zhgënjyer me lojën e djemve të tij, edhe pse një pikë përballë kampionëve në fuqi mund të cilësohet pozitive.
“Nuk e meritonim të fitonim këtë ndeshje, pasi nuk luajtëm mjaftueshëm mirë. Nuk ia dolëm të imponoheshim ndaj Liverpool, sidomos në pjesën e parë. E morëm veten më pas, menduam se erdhi momenti i fitores. Krijuam dy raste të pastra në pjesën e dytë.
Djemtë e mi kanë potencialin për të luajtur më mirë se sot, e kemi të qartë një gjë të tillë. Duhet të jemi më të mbledhur si skuadër, gjithashtu duhet të mbajmë më shumë topin në kontroll. Ka disa gjëra që duhet t’i përmirësojmë.
Duhet të jem i sinqertë, për momentin jam shumë i zhgënjyer. Ata kanë pasur shumë dëmtime kohët e fundit, kështu që kishim një shans të mirë të fitonim. Nuk ia dolëm, por edhe një pikë është ok, gjithmonë nëse fitojmë ndeshjen e radhës“, deklaron Solskjaer. /abcnews.al