Solskjaer dhe tre vite “djall”: Jemi të fortë, rikthejmë United te trofetë

schedule12:31 - 24 Korrik, 2021

schedule 12:31 - 24 Korrik, 2021

Manchester United ka zgjatur bashkëpunimin me Ole Gunnar Solskjaer. Trajneri norvegjez drejton skuadrën ku ka kaluar momentet më të bukura të karrierës prej marsit të vitit 2019.

Sot ka firmosur kontratën e re, që do e mbajë në stolin e “Djajve të Kuq” deri në vitin 2024 (ekziston opsioni i rinovimit me një tjetër vit).

48-vjeçari ndihet i lumtur gjë që e konfirmon vetë në prononcimin e dhënë pas firmosjes së kontratës së re. “Të gjithë e dinë ndjesinë dhe lidhjen që kam me United.  

Jam i lumtur që firmosa kontratën e re. Ky është një moment i rëndësishëm për klubin, kemi ndërtuar një skuadër me ekuilibër të mirë midis lojtarë të rinj dhe atyre me përvojë, të cilët janë të etur për sukses.

Rrethohem nga një staf fantastik dhe të gjithë jemi gati të hedhim hapin e radhës në rrugëtimin tonë. Manchester United synon të fitojë trofe të mëdhenj, të gjithë ne po luftojmë për t’i dalë.

Jemi përmirësuar, brenda dhe jashtë fushave, dhe kjo do të vazhdojë edhe në sezonet e ardhshme. Mezi po pres të fillojmë sezonin e ri në një ‘Old Trafford’ plot me tifozë“, u shpreh Solskjaer. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!