Sokol Cikalleshi, sulmuesi i Akhisarspor, vijon stërvitjen në shtëpi, pasi edhe në Turqi u ndal kampionati para pak kohësh. Edhe pse u tentua të vazhdohej gara me dyer të mbyllura, ishte e pamundur. Numri i të prekurve në Turqi është rritur dhe kjo situatë nuk mund të përballohet ndryshe, veçse duke u mbyllur në shtëpi.
Kavajasi i kombëtares shqiptare mundohet ta shfrytëzojë në maksimum ballkonin e apartamentit ku jeton dhe vrapon në gjithë gjatësinë e tij. Bashkëshortja e tij i ka postuar edhe një video, ku Cikalleshi shfaqet duke vrapuar.
“Nuk ndalon asnjëherë stërvitjen, edhe pse jemi në karantinë”, shkruan ajo, ndërkohë që sulmuesi mezi pret që e gjitha kjo të mbarojë dhe të zbresë në fushën e blertë dhe të bëjë atë që di më mirë: të luajë futboll dhe të përpiqet të shënojë gola. /abcnews.al