Sociologët: Shoqëria shqiptare vijon të jetë diskriminuese dhe patriarkale

schedule16:30 - 1 Mars, 2019

schedule 16:30 - 1 Mars, 2019

Në Shqipëri përpos problematika që hasin njerëzit në jetën e përditshme një problem tjetër shtesë është edhe ai i diskriminimit. Me rastin e Ditës Ndërkombëtare Kundër Diskriminimit, sociologët pranojnë se jemi shoqëri diskriminuese duke shpjeguar dhe kategoritë më të prekura.

1 Marsi njihet edhe si Dita Ndërkombëtare kundër Diskriminimit, por sa i pranishëm është ky fenomen në shoqërinë shqiptare? Sociologët shpjegojnë se diskriminimi është prezent në vendin tonë edhe pse jetojmë në kohëra moderne, duke sqaruar edhe format e diskriminimit.

Gëzim Tushi: Sigurisht thelbi i diskriminimit ka të bëjmë me dallimin, me diferencimin, me marxhinalizimin, me ndarjen, me përbuzjen për shkaqe të caktuara. Në shoqërinë tonë ka grupe të caktuara njerëzish që e ndiejnë këtë qoftë për shkak të ngjyrës dhe duhet thënë që nuk jemi akoma një shoqëri e purifikuar nga nuancat e veçanta të racizmit, apo nga intolerancat e caktuara. E ndiejnë shumë gratë dhe fëmijët, diskriminimin e tyre për shkak të gjinisë. Diskriminohet femra për shkak të seksualitetit të saj. Kurse ajo nga pikëpamja sociale është një qenie e barabartë si dhe meshkujt.

Sipas sociologut Tushi, shoqëria shqiptare vijon të jetë në kufijtë e sjelljes patriarkale e maskiliste dhe sqaron kategoritë që janë pjesë e diskriminimit.

Gëzim Tushi: Duhet ta pranojmë që në shoqërinë shqiptare ka elementë jo të parëndësishëm të diskriminimit të individëve të caktuar për shkak të ngjyrës, së racës, apo orientimit seksual. Një nga aspektet themelore të diskriminimit në shoqërinë tonë është maskilizmi, fakti që shoqëria jonë ka nuanca të forta të diskriminimit patriarkal dhe maskilist të femrës. Nuk është se jemi ndonjë shoqëri e purifikuar. Në këtë aspekt kemi akoma më shumë për të bërë një lloj edukimi human.

Edhe sipas publikimeve të bëra nga INSTAT në vendin tonë shpeshherë kategori të caktuara bien pre e diskriminimit për shkaqe të gjinisë, racës, kulturës, si dhe mjaft shkaqeve të tjera./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!