Me 6 vota pro, asnjë kundër, asnjë abstenim është miratuar raporti final për tërheqjen nga shkarkimi i presidentit Ilir Meta, që do t’i dërgohet Kuvendit
“Me votimin e këtij raporti, dhe paraqitjen e raportit përfundimtar në Kuvend mbyllet veprimtaria e këtij komisioni hetimor”, tha Manja
Të majtët u përplasën në debat me njëri-tjetrin por edhe me opozitën parlamentare në mbledhjen e sotme të Komisionit Hetimor për presidentin.
Deputeti socialist Bashkim Fino ka ironizoi qëndrimin e partisë së tij për t’u tërhequr nga nisma për shkarkimin e presidentit Ilir Meta duke deklaruar se po bëhen qesharakë duke dhënë një “vërejtje me shkrim për shokun Ilir”.
Edhe Vasilika Hysi nuk qe dakord me disa përfundime të Komisionit të Venecias por deklaroi se Kuvendi nuk mund të vlerësojë nëse shkeljet e presidentit Meta ishin me faj apo pa faj, duke ngritur domosdoshmërinë e ezkistencës së Gjykatës Kushtetuese.
Por nuk ishte i këtij mendimi deputeti Alket Hyseni i cili deklaroi se është faktuar që presidenti ka shkelur kushtetutën por jo aq sa u pretendua në fillim.
Qëndrimi i socialistëve u kundërshtua edhe nga deputeti i opozitës parlamentare Halit Valeri i cili deklaroi se nuk do të bëhet pjesë e një pazari mes qeverisë dhe presidentit.
Bashkimi Fino: Jam gati të votoj kundër shkarkimit, por ne do të njollosim veten tonë. Mazhoranca ka dy opsione ose më saktë një opsion të kërkojë shkarkimin ose ta cilësojë të ligjshëm vendimin e Presidentit.
Ne po bëhemi qesharakë dhe po japim një “vërejtje me shkrim për shokun Ilir”. Jemi kundër shkarkimit të Presidentit madje duhet t’i kërkojmë dhe falje se mbase e kemi bezdisur këtë një vit. Ju ftoj të reflektojmë para se të votojmë në seancë.
Shikoni Shkodrën, nëse do të kishim pranuar mos bërjen e zgjedhjeve siç kërkoi presidenti atëherë do kishim kryetarë bashkie të paligjshëm dhe me kundërshtim me Kushtetutën. Nuk ka dëshirë personale të asnjë njeriu për shkarkuar presidentin.
Halit Valteri: 55 emrat që kanë fytyrën e tyre për të ngritur këtë komision hetimor presin serioz. Anulimi i 30 qershorit ka qenë shkelje e kushtetutës. Deputetët nuk përdoren për pazare për presidentin.
Ne do t’i bashkangjitemi raportin që do çojë maxhoranca por me një ndryshim, do kërkojmë shkarkimin e presidentit për shkelje të kushtetutës. Për ne kushtetuta është bilël, është kuran. 55 deputetët nismëtarë të mos e nxijnë faqen para shqiptarëve por të votojnë shkarkimin e presidentit.
Alket Hyseni: Është e faktuar që presidenti ka shkelur kushtetutën por jo aq sa thamë ne. Venecia tha se kemi të bëjmë me shkelje. Në gjykimin tim personal disa elementë janë shkelje e rëndë. Por për sa kohë ekspertiza më e lartë e mundshme që ne mund t’i referohemi deklaroi se në mungesë të disa vaukumeve disa shkelje të tilla edhe mund t’i tolerojmë.
Shkeljet e presidentit tashmë i di i madh dhe i vogël. Ajo që nuk ndamë dot është thellësia e shkeljes. Nuk ka qenë qëllimi i këtij komisioni shkarkimi i presidentit por të sqarojmë se ku kemi të bëjmë me shkelje.
Vasilika Hysi: Duhet të operojmë në mënyrë të pavarur. Kam lexuar disa herë pjesën përfundimtare të raportit ku thuhet se Komisioni duhet të paraqesë shkeljet e rënda. Nëse shkeljet janë bërë me faj nuk na takon ne.
Nga raporti rezulton se ka shkelje por nuk konsiderohen të mjaftueshme për shkarkimin e presidentit.
Tërësia e analizës së shkeljeve që janë në raport tregojnë që janë shumë shkelje. Komisioni Hetimor për kënaqësinë e një grupi të caktuar por duhet të hetojë në mënyrë objektive. Unë mendoj që presidenti përfaqëson unitetin e popullit.
Unë do ta votoj këtë raport por mendoj se ka nevojë për një frymë tjetër në organizimin e të gjithë institucioneve dhe mendoj se presidenti do të “dijë” ta lexojë atë./abcnews.al