“S’mund të fusë në konflikt Shqipërinë me ndërkombëtarët”, Spiropali: Meta është vetëshkarkuar

schedule12:47 - 5 Maj, 2021

schedule 12:47 - 5 Maj, 2021

Elisa Spiropali e ftuar në studion e “ABC” u shpreh se Presidenti i Republikës Ilir Meta, nuk e meriton besimin e shqiptarëve.

Gjatë bisedës me gazetaren Juli Xhokaxhi, ajo  tha se Presidenti është vetëshkarkuar dhe se në mënyrë të hapur ka marrë pjesë në fushatë duke krijuar përçarje.

“Presidenti është vetëshkarkuar ka marrë pjesë hapur në fushatë, ka shkaktuar përçarje. Ne duhet t’i japim vendin një President dinjitoz. Ky ka braktisur detyrën nuk ka përfaqësuar asnjë moment unitetin e popullit, por është i anshëm, i dhunshëm. Ne kemi nevojë për një President që të jetë i të gjithëve dhe jo që sheh vetëm interesin e familjes së tij politike”, tha Spiropali.

Gjithashtu ajo theksoi se tashmë 50 deputetë kanë firmosur shkarkimin e Presidentit Meta, ndërsa shtoi se nuk i lejohet të ushtrojë kompetenca të tjera veç asaj që i lejon Kushtetuta.

“50 deputetë kanë firmosur për shkarkimin e Presidentit. Presidentit nuk i lejohet të ushtrojë kompetenca të tjera, vetëm ato që i jep Kushtetuta. Nuk i lejohet të marrë anë politike. Ju kujtoj që nga mëngjesi në darkë ka bërë deklarata merrni sfurqet dilni përballë kësaj bande.

Janë dhjetëra deklarata të Presidentit të Republikës të cilët janë vënë re edhe nga partnerët tanë. Ai nuk mund të fusë në konflikt Shqipërinë me mbështetësit tanë, konkretisht ambasadoren e SHBA-së”, tha Spiropali.

Më tej Spiropali theksoi se në pozicionin e Presidentit nuk duhet një njeri partiak, duke shtuar se synimi i Partisë Socialiste është që vendi të ketë një president të shqiptarëve.

“Ne do të çojmë deri në fund dhe besoj që çdo deputet që ka respekt për këtë vend pavarësisht bindjeve të tij të majta apo të djathta do të votojë për shkarkimin e tij. Ne kemi miratuar edhe një rezolutë në qershor të 2020 ku i bënim thirrje Presidentit që t’i kthehej arsyes. Por LSI në këto zgjedhje mori ndëshkimin më të fortë edhe për shkak të Ilir Metës”, tha më tej Spiropali.

/abcnews.al/