Gazetari Artur Zheji ishte i ftuar në “Special Report” me moderatorin Arlind Isa, ku foli për situatën në të cilët ndodhen Ukraina një vit pas pushtimit rus. Siç theksoi gazetari, ka qenë perëndimi ai që ka paguar kostot marramendëse të luftës në Ukrainë pas sanksioneve që vendosi ndaj Rusisë.
“Një nga bastet kryesore të Putin ishte që BE, duke u udhëhequr nga egoizmat e tyre nacionale, nuk do të bënin një aleancë dhe politikë të përbashkët të jashtme në raport me luftën. Mendoi se interesat do të ishin ata që do të përvalonin mbi frontin e përbashkët pro Ukrainës. Në të vërtetë të gjithë çmimin e kësaj lufte e ka mbajtur BE dhe bota perëndimore sepse rritja e çmimit të gazit i ka kushtuar perëndimit mbi 300 miliardë euro. Taksapaguesit evropian kanë paguar një shifër marramendëse për të përballuar konsekuencat.
U bllokua gazi rus dhe pati një shumëfishim të gazit në bursën botërore. E gjithë kjo mendohej se do të krijonte një pakënaqësi në vendet evropiane dhe do të detyronte qeveritë nacionale që të dilnin nga froni. Hungaria është një rast.”, tha ai.
Ndërkaq, gazetari shtoi se edhe vendi ynë mund të përfshihet në luftë. Kjo ndodh nëse ndonjë nga vendet anëtare të NATO-s përfshihet në luftë dhe për rrjedhojë edhe Shqipëria duhet të përgjigjet me forca ushtarake për shkak se është pjesë e kësaj aleance.
“Shqipëria është pjesë e NATO-s, është një realitet ushtarak kemi shumë të drejta dhe proteksione mbrojtëse por edhe shumë detyra dhe duke qenë se ky konflikt zhvillohet në kufijtë e NATO-s, nëse një nga këto vende preket nga lufta, gjithë vendet e NATO-s duhet t’i përgjigjen dhe Shqipëria shkon ushtarakisht dhe hyn në luftë. Por deri tani Putin ka qenë i kujdesshëm për të mos e zgjuar “luanin” në të gjithë madhështinë e tij që është kjo aleancë.“, tha ai.
Mirëpo, sipas gazetarit, Putini nuk mund ta fitojë kurrsesi luftën në Ukrainë pasi ka përballë edhe botën perëndimore.
“Ëndrra perandorake e Putinit, mendon që të hyjë në histori duke rizgjeruar kufijtë e Rusisë dhe si një nga caret e famshëm që mundën Perëndimin. Putin ka qenë konsideruar super racional, ka bërë shumë reforma ekonomike në Ukrainë, ka pasur një dialog me Berlinin pastaj befas nga 2014, pati një sindromë të frikshme perandorake dhe e ka çuar Rusinë në një luftë që s’mund ta fitojë dot sepse Perëndimi është bërë bllok përkrah Ukrainës. Është një luftë ndërmjet dy sistemeve, sistemeve perëndimore dhe Putinit që do ta bëjë Rusinë një kandidate për superfuqi me një sistem totalitar.
Pritet një ofensivë ku janë grupuar rreth 500 mijë trupa ruse. Në fillim operacioni filloi me 150 mijë ushtarë. Tani edhe Ukrainë po merr masa për rekrutime të mëtejshme. Nuk kemi parë gjë akoma. Nëse ofensiva fillon tani në pranverë, lufta do të jetë edhe më e egër.”, tha Zheji./abcnews.al