Ministri sllovak i Mbrojtjes Robert Kaliniak tha të dielën se qeveria e Ukrainës mund t’i duhet të lëshojë një pjesë të territorit të saj për të siguruar paqen, gati tre vjet pas pushtimit ushtarak të Rusisë.
Kaliniak përmendi realitetin në terren teksa bëri këtë deklaratë gjatë një interviste me transmetuesin shtetëror TA3.
Për të, është në interesin e Sllovakisë që kjo luftë të përfundojë sa më shpejt, nëse është e mundur menjëherë, prandaj Bratislava po përpiqet të ndërmjetësojë, ka ofruar të presë negociatat e paqes dhe kërkon që të shpallet një armëpushim.
“Ukraina ndoshta nuk e kupton se nuk do të jetë kurrë mes Gjermanisë dhe Zvicrës, ajo do të ketë gjithmonë kufirin më të gjatë me Rusinë”, tha Kaliniak.
Ministri sllovak i mbrojtjes vuri në dukje se Moska ka shkelur ligjin ndërkombëtar duke vazhduar me pushtimin ushtarak, nuk ka dyshim se cila palë është sulmuesi.
Megjithatë, “ne duhet të shohim një pamje më të gjerë, çfarë po ndodh në rajonet e tjera të botës ku nuk zbatojmë të njëjtat masa dhe standarde”, shtoi ai./abcnews.al