Skocia fiton grupin

schedule15:35 - 21 Nëntor, 2018

schedule 15:35 - 21 Nëntor, 2018

Skocia doli në krye të grupit të Ligës së Kombeve, ku ndodhej edhe kombëtarja shqiptare. Skuadra britanike mundi Izraelin 3-2 pas një sfide me shumë emocione.

Një fitore dhe dy objektiva të arritur. Skocia fitoi vendin e parë në grupin tonë të Ligës së Kombeve, kaloi në gjysmëfinale, si dhe siguroi një vend në plej ofin për në Euro 2020.  Kjo, pas fitores 3-2 ndaj Izraelit në “Hampden Park” të Gllazgout, me lojtarin e Sëlltikut, Xhejms Forrest, autor të të tre golave. Skocezët i përfunduan ndeshjet me 9 pikë, izraelitët me 6 dhe Shqipëria me 3.

Miqtë shënuan të parët me anë të Beram Kajalit, por Forrest u përgjigj në minutat 37, 43 e 64. Eran Zahavi shënoi për 2-3 në 75’, dhe dy minuta para fundit, Izraeli pati rastin për të barazuar dhe për t’u kualifikuar, por portieri Alan Mekgregor ndaloi gjuajtjen e Tomer Hemedit. Skuadra britanike pret shortin gjysmëfinal, ndërsa kundërshtarë do të jenë Finlanda, Norvegjia dhe Serbia.

Po ashtu, skocezët do të jenë në plej ofin e Europianit, nëse nuk do të jenë të kualifikuar direkt nga eleminatoret. Një përmbysje e vërtetë e situatës për skuadrën e trajnerit Aleks Meklish, që u turpërua pas humbjes 0-4 në miqësore ndaj Belgjikës në Gllazgou, dhe pastaj disfatën 1-2 në Izrael për Ligën e Kombeve.

I habitshëm edhe transformimi i 27-vjeçarit Forrest. Lojtari ofensiv i Sëlltikut nuk kishte shënuar asnjë herë në 24 ndeshje të luajtura për kombëtaren deri mbrëmjen e 17 Nëntorit në stadiumin “Loro Boriçi” ndaj Shqipërisë. Forrest realizoi dy herë në Shkodër, dhe tani tri herë kundër Izraelit./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!