Skleroza multiple/ Spitali Hygeia pjesë e një studimi botëror mbi këtë sëmundje

schedule15:45 - 4 Tetor, 2023

schedule 15:45 - 4 Tetor, 2023

Skleroza Multiple është sëmundje inflamatore kronike e sistemit nervor qendror e karakterizuar nga demielinizimi.  Në këtë sëmundje, sistemi yne imunitar përmes limfociteve T, B dhe makrofageve aktivizohet duke dëmtuar strukturat e pasura me myelin të sistemit nervor qendror, trurit dhe palcës kurrizore.  Në mënyrë të veçantë preken fibrat komisurale dhe veçanërisht korpusi kalloz dhe fibrat projektuese ose traktet e gjata si kapsula interne apo traktet e gjata të medulës spinale.

“Sëmundja shfaqet zakonisht në dekadën e tretë dhe të katërt të jetës, pra prek më shumti moshat 30-40 vjeç por mund të shfaqet edhe në mosha të tjera që nga fëmijëria e vonshme deri në dekadën e gjashtë të jetës. Prek më së shumti femrat në krahasim me meshkujt, me një raport 1.5/1 dhe ka prevalencë të variueshme në vende të ndryshme që shkon nga 50 deri në 250/100 000 banorë apo më tepër. Sëmundja shfaqet me disa shenja tipike si psh turbullimi i pamjes në njërin sy, paaftësi për të dalluar nuancat e ngjyrave apo gërmat e vogla, dyfishim i pamjes,  prishje të ekuilibrit,  dobësi dhe/apo mpirje dhe mizërime në njërën anë  të fytyrës, apo një anësi, etj.  Këto shenja shfaqen shpesh dhe kulmojnë brenda një kohë të shkurtër disa ditore, dhe më pas përmirësohen në disa javë.  Kjo është dhe forma e saj më e zakonshme, me rëndime që përsëriten në mënyrë të variueshme.”

Diagnoza e sëmundjes bazohet në historinë që tregon pacienti, ekzaminimin klinik në vizitë, të dhënat imazherike të rezonancës manjetike, të dhënat laboratorike veçanërisht të lëngut cerebrospinal dhe ekzaminimet elektrofiziologjike. Trajtimi bashkëkohor i sëmundjes fokusohet kryesisht në parandalimin e ecurisë së sëmundjes përmes preparative që modulojnë imunitetin.  Në këtë drejtim ka një miriade preparatesh si psh betainterferoni, glatiramer acetate, dimetilfumarati,teriflunomidi, fingolimodi, siponimodi, ocrelizumabi, natalizumabi etj. Të tilla preparate pengojnë aktivizimin dhe dëmtimin e sistemit imunitar.  Efikasiteti i tyre është i variueshëm.

Disa kanë potencë të lehtë në të moderuar, të tjera nga të moderuar në të lartë dhe të tjera në shumë të lartë. Këto të dhëna kanë rezultuar nga studime të medha multicentrike të kryera njëkohësisht në shumë Qendra spitalore në disa vende të botës. Në anën tjetër vlen të përmendet fakti që secili nga këto preparate ka dhe profilin e vet të efekteve anësore dhe për këtë arsye ka studime të shumta në vazhdimësi.

Një studim i tillë është tashmë prezent edhe në Shqipëri dhe Spitali Hygeia është përzgjedhur të jetë një nga qendrat që do të përfshihet në këtë studim.

Për të gjithë të interesuarit, pra pacientët e prekur nga Skleroza Multiple apo ata që kanë simptoma apo shenja si më lart, mund të drejtohen për konsultë të specializuar, si dhe për të marrë një diagnozë dhe trajtim adekuat,  me mjekun neurolog të Spitalit Hygeia, dr.Erion Dushi./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!