Skënderbeu synon që të përfundojë gjyqet sportive pa nisur kompeticionet europiane. Klubi korçar shpreson që të fitojë pafajësinë dhe të marrë pjesë menjëherë në Champions.
Dy vjet më parë ishte po kështu, edhe pse më lehtë.
Skënderbeu u përjashtua nga pjesëmarrja në Champions për sezonin 2016-2017, dhe klubi bëri çmos që të fitonte gjyqet sportive deri në korrik.
Kështu pritet të bëjë edhe tani, ndonëse situata është shumë më e rëndë, pas dënimit 10-vjeçar në kompeticionet kontinentale dhe gjobën 1 milionë euroshe.
Strategjia e presidentit Takaj është e thjeshtë dhe “me detyrim, përcaktim” nëse mund të shprehemi kështu, pasi synimi është jo vëtëm fitorja në KAS në Lozanë, por edhe pjesëmarrja në Champions që këtë sezon.
Fillimisht do të shkohet në Komisionin e Apelit në UEFA, ku me shumë gjasa pritet që të humbasë, dhe të mbetet në fuqi I njëjti dënim.
Hapi më i rëndësishëm është ai në Këshillin e Arbitrazhit Sportiv në Lozanë të Zvicrës.
Si strukturë jashtë UEFA-s, KAS-i është i vetmi që realisht mund të bëjë një ndryshim.
Varianti më optimist do të ishte fitimi i pafajësisë, dhe rikthimi në kupat e Europës.
Nëse kjo do të ishte e pamundur, atëherë do të luftohet për ta ulur dënimin deri në 3 vjet.
Presidenti Takaj e ka të domosdoshëm futbollin ndërkombëtar, si i vetmi që sjell të ardhura të rëndësishme, mjafton të kujtohet se në dy sezonet kur arriti në fazën e grupeve, klubi fitoi gjithsej mbi 8 milionë euro.
Po ashtu, një dënim afatgjatë do të bënte që të largoheshin lojtarë kryesorë dhe që të mos kishte interes nga talente të tjerë për t’u bashkuar me ekipin korçar.
Skënderbeu ka edhe një tjetër çështje në KAS, ose të paktën kështu pohon klubi, atë të titullit kampion të vitit 2016, të hequr nga Komisioni i Etikës në Federatën Shqiptare të Futbollit.
Burime pranë Federatës bëjnë me dijë se ka një mister të vërtetë për këtë çështje, pasi sipas rregullave, Skënderbeu duhej të kishte shkuar më parë në FIFA, dhe pastaj në KAS.
Ekziston dyshimi, se klubi korçar mund të ketë humbur ankimimin në FIFA dhe të ketë shkuar në gjyqin sportiv në Lozanë./abcnews.al