Skënderbeu arriti një fitore të madhe ndaj Kukësit në Superligë, por për fat të keq, kjo nuk u pasqyrua në rezultat. Kampionët luajtën ndeshjen më të mirë të kampionatit dhe mbetën pretendentë.
Shënoi vetëm një gol, por nuk luajti vetëm për kaq.
Përkundrazi, Skënderbeu që u pa ndaj Kukësit në stadiumin e Korçës, ishte për një triumf shumë më të madh, që për fat të keq nuk erdhi. Do ta meritonte tërësisht skuadra kampione, që në javën e 7-të të Superligës, tregoi se nuk do të jetë gjithnjë si ajo që u pa ndaj Tiranës apo në Durrës.
Rastet ishin të shumta, dhe dominimi thuajse i plotë, diçka aspak e vogël kur përballë ishte një ekip i drejtuar nga trajneri Armando Cungu, me shumë karakter dhe vendosmëri. Gjithsesi, nuk ishte aspak faji i Cungut për këtë humbje dhe këtë diferencë.
Kuksianët janë një projekt fare i ri dhe trajneri shkodran po punon me skuadrën prej më pak se 3 muajsh, ndërsa korçarët janë diametralisht të kundërt. Që nga trajneri Shehi e deri tek lojtarët e stolit, janë po ata që ishin edhe sezonin e kaluar.
Natyrisht, Skënderbeu ka më pak talent sesa në të kaluarën, për shkak se shumë nga lojtarët më të mirë iu larguan. Ky është edhe shkaku që kampionët nuk e kanë vazhdimësinë e edicionit të shkuar, kur e fituan Superligën me diferencë.
Në javët e ardhshme, me shumë gjasa, do të shohim edhe paraqitje shumë të mira si kjo ndaj Kukësit, por edhe zhgënjime si kundër Teutës. Ky është fati i Skënderbeut, që gjithsesi mbetet pretendent për titull, ndërsa në renditje është në vend të dytë, me 14 pikë, vetëm dy më pak se Partizani.
Kukësi humbi një rast dhe mbeti në vend të tretë me 13 pikë./abcnews.al