Skënderbeu nuk ndihet i tronditur pas humbjes me Teutën, dhe pretendon rezultat ndaj Kukësit. Trajneri Shehi thekson se kampionët kanë një element të fortë në favor.
Vështirë ta njohësh këtë ekip nëse e sheh disa ndeshje radhazi. Skënderbeu është ai që humb pikë në Superligë, në Korçë, me Teutën, Laçin apo Tiranën, por edhe që triumfon në kryeqytet me Partizanin kryesues. Shumëkush habitet me këto luhatje të kampionëve, ndërsa trajneri Orges Shehi nuk dëshiron të komentojë dyshimet, por të theksojë diçka tjetër.
“Kukësi jo vetëm tani, por edhe në edicionet e mëparshme ka qenë një rival i fortë për ne kështu që do jetë një ndeshje me rëndësi. Vjen pas një ndeshje të luajtur mirë, por jo duke marrë pikët dhe kjo e luajtura mirë na bën mirë për vazhdimësinë”, u shpreh Shehi.
Kukësi thotë se ka mungesa, por edhe Shehi rreshton të vetat për ndeshjen e javës së 16-të.
“Kemi tre mungesa megjithë Hoxhën. Radasi ka plotësuar numrin e kartonave. Krasniqi akoma nuk ka filluar stërvitjen me grupin. Kam besim te lojtarët e tjerë se jo më kot janë pjesë e jona”, Shehi
Janari ende nuk ka ardhur, por Skënderbeu ndihet se kërkon përforcime.
“Dihet se për të qenë sa më kompetitivë duhen dhe disa ndërhyrje, por Janari nuk të jep shumë mundësi dhe nga eksperienca që kam nuk është se ke shumë mundësi zgjedhjeje, por nëse na jepet një opsion i mirë sigurisht që do të përforcohemi”, tha Shehi./abcnews.al