Skënderbeu arriti ndoshta fitoren më të rëndësishme të sezonit në Superligë, duke mposhtur një rival si Flamurtarin, madje brenda në Vlorë. Kampionët në fuqi të Shqipërisë ia dolën në një ndeshje tepër të fortë taktike, duke shënuar në dy momentet që arritën të dilnin rrezikshëm përpara portës vendase.
Autorë të rrjetave ishin Krasniqi në minutën e 71-të dhe sulmuesi tjetër, Oto Xhon, në minutën e 83-të. Me këtë sukses, korçarët u shkëputën të vetëm në krye të kampionatit me 10 pikë pas 4 ndeshjeve të luajtura deri tani. Pas tyre janë tri skuadra me nga 7 pikë, Flamurtari, Kukësi dhe Partizani.
Skënderbeu duket se mbetet pretendent numër 1 për të ruajtur titullin e fituar vjet, pavarësisht se gaboi në ndeshjen e kaluar në Korçë ndaj Laçit, dhe ndonëse iu larguan shumë lojtarë titullarë gjatë verës. /abcnews.al

