Skënderbeu fitoi betejën psikologjike, trajnerët flasin pas ndeshjes

schedule11:27 - 18 Shtator, 2018

schedule 11:27 - 18 Shtator, 2018

Ndeshjen në Vlorë e vendosi ana psikologjike. Trajnerët e Flamurtarit dhe Skënderbeut, janë në një mendim se Skënderbeu ishte skuadra me më shumë besim në vetvete.

E kaluara rëndon si makth mbi të tashmen.

Kjo është një shprehje e vjetër, por edhe krejtësisht e re kur vjen puna tek sfidat mes Flamurtarit dhe Skënderbeut.

Edicionin e kaluar, korçarët patën sukses absolut ndaj vlonjatëve, diçka që trajneri që ka bërë rokadën, Ilir Daja, e cilësoi me ndikim vendimtar.

Skënderbeu fitoi 1-0 në Vlorë për ndeshjen e Superligës, duke u treguar edhe një herë më lart se Flamurtari, edhe pse nuk është aq i fortë sa vjet, të paktën në letër.

“Ajo që më shqetëson më shumë është komponenti psikologjik. Sigurisht që marr përgjegjësitë e mia për këtë paraqitje të ekipit. Sigurisht ky është një problem ndoshta që edhe në përballjet e kaluara ka një refleksion sepse kundërshatri ka pasur një bilanc tepër pozitiv. Ajo që duhet të përmirësojmë është besimi përpara sepse nëse nuk ke një besim në vetvete dhe në cilësitë e tua individuale asnjëherë nuk shkohet përpara”, tha Daja.

Orges Shehi, trajneri i kampionëve, padyshim mund të ndihet i kënaqur.

Edhe pse trajner i ri, dhe me ekip më të dobësuar, ai po arrin suksese radhazi, por a e quan ai si fitore të nxënësit ndaj mësuesit, atë që arriti ndaj Dajës?

“Me këtë rezultat unë prisja që skuadrën ta shikoja ashtu siç e pashë. Edhe në analizë, edha gjatë javës kemi punuar shumë në aspektin psikologjik sepse luajmë në transfertë edhe duke luajtur në transfertë, çunat e rinj duhet të japin maksimumin. Kryesorja është personaliteti. Është një ndeshje mes Skëndërbeut dhe Flamurtarit, një ndeshje midis kundërshtarëve, ndeshje derbi jo ndeshje mes meje dhe misterit”, tha Shehi.

Tifozët korçarë janë, logjikisht, tepër të lumtur.

Komentet e tyre në rrjetet sociale janë himne dhe lavdërime për skuadrën, që cilësohet si e vetme kundër të gjithëve, ndonëse realiteti nuk është plotësisht kështu. Gjithsesi, Skënderbeu është ende realiteti numër 1 i futbollit shqiptar, dhe nuk mund të gabohet nëse quhet favorit për titullin.

Po Flamurtari?

Klubi vlonjat do të bënte gabimin më të madh nëse do të dëshpërohej më shumë sesa duhet, pasi Ilir Daja sapo e ka nisur punën. Flitet për një trajner tri herë kampion, pra që mund t’ia dalë edhe me Flamurtarin./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!