Skënderbeu festoi në mënyrë madhështore titullin kampion në futboll. Skuadra e presidentit Takaj dhe trajnerit Daja ishte absolutisht më e mira e këtij sezoni, ndonëse korçarëve u mbetet shqetësimi për përjashtimin nga kupat e Europës.
Rikthimi ishte madhështor.
Skënderbeu festoi me të drejtë të plotë titullin, pas një pushimi që mund të quhet i padrejtë.
Skuadra e Korçës, një nga lavditë e vjetra të futbollit shqiptar, ndonëse të humbura rrugës, po ashtu kremtoi titullin e 8 të jetës së saj, gjashtë prej të cilëve radhazi.
Ekipi i presidentit Ardian Takaj dhe i trajnerit Ilir Daja mbylli një edicion të jashtëzakonshëm, e që do të mbetet i tillë, pavarësisht se çfarë vendimi do të merret në Lozanë nga Gjykata e Arbitrazhit Sportiv.
Katër ture eleminatore të kaluara radhazi në Ligën e Europës, dhe pjesëmarrje për të dytën herë në fazën e grupeve, me numrin-rekord të pikëve, 5.
Dominim i plotë i Superligës, ndërsa humbjet radhazi të javëve të fundit me Teutën, Laçin apo Vllazninë nuk mund të futen në këtë llogari, edhe pse ia prishin jo pak imazhin.
Sidoqoftë, trofeu i dhënë nga duart e presidentit të Federatës, Duka, ishte plotësisht i merituar, pasi u mor nga skuadra absolutisht më e mirë e Shqipërisë.
Kjo ishte arsyeja që tifozët korçarë sfiduan motin e rëndë me reshje shiu, për të qenë pranë skuadrës edhe në ditën kur ajo do të humbiste turpshëm, në një skenar surreal.
Futbollistët bardhekuq kremtuan fort, gjithashtu, ndonëse të ndërgjegjshëm se shumë prej tyre mund të mos jenë aty sezonin e ardhshëm.
Skënderbeu dhe shumë klube të tjera presin tani vendimin e KAS-it në Zvicër, për lejimin ose jo të pjesëmarrjes në Champions sezonin e ardhshëm, dhe më pas, për dënimin ose jo me 10 vjet pezullim nga kupat kontinentale./abcnews.al